Disa të shtëna me armë kanë frikësuar sot banorët në qytetin bregdetar të Durrësit. Policia thotë se kanë qenë dy persona ata të cilët kanë qëlluar me pistoletë në ajër, ndërkohë që udhëtonin së bashku me një mjet tip “Audi”.
Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar dy të dyshuarit: D. M., 34 vjeç dhe K. M., 49 vjeç. Ata akuzohen për “prishje të qetësisë publike”.
Policia ka sekuestruar automjetin me të cilin udhëtonin ata, si provë materiale.
TË DHËNAT E POLICISË
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune hetimore të mirorganizuar dhe profesionale, brenda pak orëve kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e një ngjarjeje të ndodhur në lagjen nr. 15 Durrës, ku dy shtetas qëlluan në ajër me armë zjarri.
Në sajë të veprimeve hetimore të menjëhershme kanë identifikuar dhe arrestuar autorët e dyshuar, shtetasit D. M., 34 vjeç dhe K. M., 49 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta dy shtetas dyshohet se kanë qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, gjatë kohës që kanë qenë duke udhëtuar së bashku me një mjet tip “Audi”, i cili është sekuestruar si provë materiale”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.