Presidenti amerikan Donald Trump mohoi të mërkurën çdo përpjekje që përflitet se mund të ketë bërë për të futur në votime, reperin Kanye West.
“Unë nuk jam i përfshirë.”- tha Trump në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nga DailyMail.com nëse kishte ndihmuar West, në kërkesën e tij për të marrë votat e shtetit për fushatën e tij presidenciale.
“Unë e pëlqej atë. Ai gjithmonë ka qenë shumë i sjellshëm me mua”– tha Trump, duke vlerësuar reperin dhe producentin që u shfaq me të në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2018 dhe e mbështeti fushatën e tij “Make America Great Again”.
Trump shtoi se ka një respekt shumë të madh edhe për gruan e reperit, Kim Kardashian dhe shtoi se ajo e ka ndihmuar shumë lidhur me reformën për burgjet.
“Gruaja e tij rekomandoi që disa njerëz të dilnin nga burgu. Ata ishin në burg për një kohë të gjatë. Dhe nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Dhe unë e miratova atë çfarë ajo tha. Ajo ka një zemër të mirë. Një zemër shumë të mirë. Dhe më pëlqen shumë Kanye”- tha Trump.
Pastaj presidenti shtoi: “Jo, nuk kam të bëj fare me futjen e tij në votim”.