Egjipti sot njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me Greqinë mbi “përcaktimin e juridiksioneve detare” midis dy vendeve.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në kryeqytetin Kajro me homologun e tij grek Nikos Dendias, ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry tha se marrëveshja “hap horizonte të reja për bashkëpunimin ekonomik me Greqinë”, raporton AA.
Dendias, nga ana e tij, tha se marrëveshja detare me Kajron është “e ligjshme” dhe “pasqyron dimensionet e bashkëpunimit midis dy vendeve në luftimin e kërcënimeve në rajon”.
Më parë gjatë ditës, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit thuhej se Shoukry u takua me Dendias në Kajro për të diskutuar marrëveshjen dypalëshe.
Takimi i 12-të teknik për këtë çështje u mbajt në Kajro në qershor, ku palët ranë dakord për të vazhduar bisedimet për një marrëveshje.