Kryeministri britanik Boris Johnson e konsideron “detyrë morale” që t’i kthejë fëmijët në shkolla në shtator.
Në një artikull për Mail on Sunday, Johnson tha se kthimi i fëmijëve në shkolla ishte “përparësi kombëtare” pas disa muajve pa arsimim në auditore për shkak të koronavirusit.
Por këshilltarët qeveritarë kanë paralajmëruar për rreziqet në planet për të hapur shoqërinë.
Geoff Barton, kreu i sindikatës së Shoqatës së Shkollave dhe Drejtuesve të Kolegjeve (ASCL), tha se shkollat duhet të kishin qenë një përparësi “që nga fillimi”.
Kryeministri e bëri të qartë se shkollat duhet të jenë sektori i fundit që mbyllet në të ardhmen, pas bizneseve si dyqanet dhe klubet e natës.
Shkollat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar u mbyllën në 20 mars, duke bërë përjashtim nga kjo fëmijët e punonjësve në punët thelbësore që nuk u mbyllën, ose fëmijët që kishin nevojë për kujdes të veçantë.
Më 1 qershor, filluan një rihapje të kufizuar për nxënësit e viteve të para, nga klasa e parë në të gjashtën.
Në artikullin e tij, Johnson tha: “Kjo pandemi nuk ka mbaruar, dhe gjëja e fundit që dikush prej nesh mund të lejojohet të bëjë është të bëhet i vetëkënaqur. Por tani që dimë sa duhet për t’i rihapur shkollat për të gjithë nxënësit me siguri, ne e kemi detyrë morale ta bëjmë këtë.”
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu për “kostot spirale ekonomike” të prindërve dhe kujdestarëve që nuk janë në gjendje të punojnë.
Ai shtoi: “Mbajtja e shkollave tona të mbyllura më gjatë se sa është e domosdoshme, është e patolerueshme shoqërisht, ekonomikisht e paqëndrueshme dhe e papranueshme nga morali”.