Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian mendojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe se liberalizimi duhet të ndodhë.
Por, nuk kanë përgjigje të prerë se kur do të mund të jetë në rend dite vendimi për këtë në Këshillin e Bashkimit Evropian si dhe a kanë kërkuar disa shtete anëtare ndonjë raport të ri për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, shkruan Koha.
Nga Komisioni Evropian kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket liberalizimit të vizave, “Komisioni Evropian qëndron prapa vlerësimit të dhënë që në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se Komisioni në vjeshtë, kur do të nxjerrë paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në to do të përfshijë edhe vlerësimin rreth përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash nga ana e Kosovës.