Presidenti Meta ka deklaruar sot se solidarizohet me gazetarët që janë nën presion nga të gjitha drejtimet.
Në një status në Facebook, kreu i shtetit shkruan se tmerri nga fjala e lirë e pasqyrimi i së vërtetës është tipar i regjimeve kriminale. Meta thekson se asgjë s’e ndal ndryshimin.
“Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik. Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre. Asgjë nuk e ndal Ndryshimin! Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh. Tani ka ardhur Kohë tjetër!” – shkruan Meta.
Meta u bën thirrje gazetarëve që të formojnë një media transparente që ta nisë kohën me përmbysjen e atij që e quan regjim i neveritsëm mediatik.
“Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve! Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij.” – shkruan më tej Meta.
Në fund preisdenti thotë se si kreu i shtetit e qytetar është me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj por edhe me kolegët e saj që shantazhohen nga pushteti.
“Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment. Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner! Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.” – mbyll reagimin e tij Meta.