Vendosni fjalën kyçe....

Rakacolli sqaron trajtimin me plazmë të të prekurve nga Covid-19: Ata që e kanë kaluar, ta dhurojnë


Numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë, Rakacolli, ka sqaruar ditën e sotme lajmin për nisjen e trajtimit me plazmë të personave të prekur nga Covid-19.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me News24, ajo tha se trajtimi në fjalë nuk ka ende asnjë të konfirmuar lidhur me efikasitetin e tij.

“Nuk ka akoma asnjë gjë të konfirmuar për efektivitetin e saj. Është alternativë që mendohet me një logjikë të thjeshtë, që mund të japë rezultat. Historia e dhurimit të plazmës, është histori e vjetër, daton edhe 100 vite më parë. Është përdorur dhe me gripin spanjoll. Në momentin kur nuk ka një mjekim specifik apo vaksinë, mendohet që ata antitrupa tek personat që janë shëruar, të mund t’i jepen një personi tjetër që të fitojë betejën. Që të thuash është efikase, duhen shumë studime. Për të arritur në një konkluzion, duhen numra, studime. Por akoma nuk kemi rezultate të qëndrueshme për efikasitetin e saj.”- tha Rakacolli.

Më tej zv.ministrja tha se plazma nuk mund të blihet po dhurohet.

Sipas Rakacollit jo çdo person që ka kaluar më herët koronavirusin e ri mund të ketë në trupin e tij antitrupa kundër Covid-19. Ajo shtoi se deri tani janë bërë 5 dhurime dhe nëse do gjendet plazmë e përshtatshme, ajo do injektohet te të sëmurët e tjerë.

“Dje kemi lançuar fillimin e kësaj metode. Plazma nuk është gjë që blihet apo prodhohet. Ajo dhurohet. Duhet ta kesh gjënë dhe më pas të kesh zinxhirin se si të aplikohet ajo. Duhet të sigurohet cilësia dhe më pas vijnë procedurat e tjera. Ne kemi qenë në lidhje me një grup italian, të një universiteti, për të koordinuar këtë protokoll. Është proces i nisur, i mirëmenduar. Jemi në fazën e mbledhjes së dhuruesve. Jo çdo person që ka kaluar COVID-19 mund të përmbajë antitrupa. Dje ka qenë dita e parë e dhurimeve. Janë bërë 5 dhurime. Shpresojmë shumë që numri i personave dhurues të rritet. Pajisjet janë të gjitha. Në drejtim të gjitha gjerave, në infrastrukturë, jemi gati. Nëse kemi një plazmë të përshtatshme, do e injektojmë tek personat. Dua të bëj thirrje të gjithë atyre që kanë kaluar COVID, që të bëhen heronj të dikujt. S’ka gjë më të mirë se kjo. Jo të gjithë do e marrin plazmën. Do ju bëhet atyre që mendohet se iu bën mirë.” – shtoi ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *