Dy të rinj janë arrestuar pasi janë sinjalizuar se tregtonin drogë.
Të rinjtë janë arrestuar në zonën e quajtur “Tuneli” në rrugën “Frosina Plaku” në kryeqytet.
Policia vuri në pranga shtetasit R.Gj., 24 vjeç dhe I.P., 24 vjeç., të dy banues në Tiranë pas sinjalizimit të banorëve të zonës për veprime të dyshimta.
Në operacionin e policisë u sekuestruan dhjetëra doza me kanabis, një shumë parash të përfituar nga shitja dhe 3 telefona celularë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni “Tuneli”, për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Vihen në pranga dy posedues që shpërndanin lëndë narkotike.
Sekuestrohen dhjetëra doza me cannabis sativa, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike si dhe 3 telefona celular.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra falë bashkëpunimit me qytetarët, se dy të rinj po merreshin me shitjen e lëndës narkotike në doza të vogla në blloqe mes pallatesh , organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Tuneli”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- R.Gj., 24 vjeç dhe I.P., 24 vjeç., të dy banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë në rrugën “Frosina Plaku”, në hapsiren midis nje blloku pallatesh, e cila quhet si zona e “Tunelit”, kanë konstatuar dy personat e lartpërmendur të cilët në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po shisnin lëndë narkotike në doza të vogla.
Pas kontrollit, në vendin ku u konstatuan këta shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur 80 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe shumën prej 62.000 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 aparate celular.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.