Vendosni fjalën kyçe....

Deficiti buxhetor kërcen në 390 milionë euro për 7 mujorin, nga paketat e ndihmës


Shpenzimet e buxhetit u rritën me 4% në shtatë muajt e parë të vitit, duke arritur në 282 miliardë lekë.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se kjo rritje erdhi si rrjedhojë e pagesave të shtuara për ndihmën ekonomike dhe për përdorimin e fondit rezervë në shumën 11.7 miliardë lekë, që shkoi për paketën sociale Anti-Covid.

Ndërkohë që shpenzimet e tjera kanë qenë të shtrënguara, me ato korente që u ulën me 1.3%, për interesa me -4% dhe për mirëmbajtje me -0.6%.

Shpenzimet për fondet speciale, që shkojnë për mbulimin e deficitit të skemës së pensioneve dhe zënë rreth 35% të totalit të shpenzimeve, u rritën me më pak se 1%.

Qeveria nuk është kursyer për shpenzimet kapitale, të cilat u rritën me 4.1% në krahasim me janar-korrik të vitit të kaluar, duke arritur në 35 miliardë lekë.

Për bonusin e lindjeve u dhanë rreth 1.5 miliardë lekë për 7 mujorin, me rritje 32% me bazë vjetore.

Rritet ndjeshëm deficiti, arrin 390 milionë euro

Më të ardhurat që u ulën me 12% për 7 mujorin dhe shpenzimet që u rritën, financat kanë qenë të detyruara që të shtojnë borxhin për të përballuar pagesat shtesë për ndihmën ekonomike dhe mbështetjen e paketave sociale Anti-Covid.

Deficiti buxhetor arriti në 49 miliardë lekë, ose 390 milionë euro për 7 mujorin e parë të vitit, nga vetëm -6 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i deficitit që nga 7 mujori i parë 2013, kur shkrehja e administratës përpara zgjedhjeve çuan në një rënie të të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet në prag fushate elektorale u rritën ndjeshëm.

Në buxhetin e rishikuar 2020, Ministria e Financave parashikon që deficiti buxhetor për gjithë vitin të arrijë në rreth 1 miliardë euro, ndërsa borxhi publik mund të ngjitet në 80% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), si rrjedhojë e huamarrjes së shtuar për të mbuluar nevojat për financime ndërkohë që të ardhurat kanë qenë në rënie, nga pasojat që Covid-19 ka sjellë në ekonomi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *