Kryeministri Edi Rama dhe kundërshatari i tij politik, Lulzim Basha kanë vijuar replikën për çështjen e detit.
Në përplasjen e dytë nga dritarja e Twitterit, Rama i ka përmendur marrëveshjen e 2009 me Greqinë e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
“Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh, që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh, se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK!
Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”-shkruan Rama.
Nga ana tjetër kreu i opozitës sërish i ka bërë thirrje për transparencë mbi negociatat me Greqinë për një marrëveshje të re, duke shtuar që të mos fshihet “pas gërrvërreve bajate”, të cilat sipas Bashës nuk qeshin “as servilët e fundit” që i kanë mbetur Ramës.
“Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”-shkruan Basha.