Vendosni fjalën kyçe....

Andi Bushati: Tani Edi të puthet me Milon


Zgjedhjet e së dielës në Malin e Zi, treguan se pozitat e kryeministrit aktual Milo Gjukanoviç janë dobësuar dukshëm.

Partia e tij edhe pse është mbi të tjerat, nuk ka avantazhin e madh për të formuar qeverinë pasi edhe opozita pro serbe renditet e dyta me një rezultat të ngushtë nga Gjukanoviç, i cili pas 30 vitesh në pushtet duket se po kalon për herë të parë në opozitë.

Për të formuar qeverinë duhet që koalicioni të ketë 42 deputetë nga 81 që ka parlamenti malazez. Shqiptari Dritan Abazovic, lideri i “E zezë dhe e Bardhë”, është ai që përcaktoi formimin e qeverisë së re në Malin e Zi, pasi 4 mandatet që partia e tij mori ishin shumë të rëndësishme për të fituar të drejtën e qeverisjes. Ai pati dje një takim me liderët e koalicioneve, “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” dhe “Paqja është kombi ynë”, Zdravko Krivokapiç, Aleksa Beçiç, të cilët pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi.

Ata thanë se, përveç kësaj, ata do tu shtrijnë duart përfaqësuesve të popujve pakicë me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të bukur dhe të prosperuar të Malit të Zi.

Pas këtyre zhvillimeve, analisti Andi Bushati ka bërë analizën e tij në Lapsi.al, duke thënë se në shtetin fqinj, zgjedhësit nuk i besojnë më përrallat me pro apo antiperëndimorë.

“Pak rëndësi ka se çfarë do të ndodhë më pas dhe nëse virtuozi Gukanoviç, mandati i të cilit si president përfundon në 2023, do të arrijë ti’a hedhë edhe kësaj radhe. Mesazhi që dhanë zgjedhësit e fqinjit tonë të vogël prej 620 mijë banorësh ishte i qartë: përallat me pro dhe anti perëndimorë nuk janë të mjaftueshme për të qenë një faktor elektoral në vende që udhëhiqen nga autokratë.
Ndryshe nuk ka si shpjegohet që njeriu që i rezistoi Sllobodan Millosheviçit, ai që udhëhoqi me sukses referendumin për pavarësinë e vendit, duke marrë 55% të mbështetjes popullore, ai që njohu bashkë me SHBA, Gjermaninë e Britaninë , pavarësinë e Kosovës, ai që e futi vendin e tij në Nato dhe që është përpara të gjithë fqinjëve të Ballkanit perendimor në procesin e negociatave më BE, të fitojë gjithnjë e më pak vota në vendin e tij.”– shkruan Bushati.

Analisti kujton thirrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në gjuhën serbe për zgjedhësit në Malin e Zi, që të votonin Gjukanoviçin, duke thënë se ajo çfarë Gjukanoviç ka bërë për Malin e zi duhet t’i bëjë ata krenarë dhe të sigurtë për fëmijët e tyre.

E kjo, në një kohë kur ende nuk kishte shprehur mbështetje për partitë shqiptare në Mal të Zi që garonin me një listë të përbashkët. Këtë e bëri, vetëm pas kritikave që mori në rrjet.

Bushati thotë se kryeministri Rama u keqpërdor qëllimisht, por ata që e nxitën kanë marrë sinjalin e duhur, pasi malazezët e shqiptarët e Malit të Zi, nuk i durojnë dot anti demokratët që shiten si pro perëndimorë.

“Reduktimi drastik i votave pro Gjukanoviçit, kësaj radhe, tregon se një pjesë e popullsisë që dikur votonte pro tij, pikërisht ajo që nuk u gënjye më nga etiketat pro dhe anti perendimor, nuk e përtyp dot pambarimisht demokracinë si një produkt që ia imponojnë me dhunë nga jashtë, por si një realitet që do ta prekë dhe ta jetojë përditë.

E këtu edhe kryeministri Rama, që u keqpërdor me qëllim, duke u bërë thirje në sllavisht qytetarëve që të votonin në favor të autokratit të tyre (video poshte) edhe ata ndërkombëtarë që e yshtën ta bëjë këtë në emër të stabilitetit, kanë marrë sinjalin e duhur.

Apeli për tu bërë bashkë rreth Gjukanoviçit nuk pati më shumë vlerë sesa një puthje me Milon. E në këtë kuptim ky është një mesazh për tu duartrokitur. Pasi tregon se as në këtë rajon, njerëzit nuk i durojnë dot më anti demokratët që shiten si pro perendimorë.”– përfundon analiza e Bushatit.

Më poshtë videoja e Ramës ku shprehte mbështetjen për Gjukanoviçin.

https://www.youtube.com/watch?v=D7YnaD87N90&feature=emb_title


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *