Shtetet e Bashkuara i kanë nxitur palët në Mesdhe që të ulin tensionet e të nisin dialogun.
Reagimi erdhi nëpërmjet Sekretarit të Shtetit, Pompeo, në një deklaratë që katë bëjë me përplasjet e vijueshme mes Ankarasë e Athinës në Mesdheun lindor e detin Egje pas nisjes së kërkimit për hidrokrabure nga ana e palës turke.
“Presidenti Trump ka biseduar me presidentin Erdogan, ai ka folur me kryeministrin në Greqi. Ne po i nxisim të gjithë të ulin tensionet dhe të nisin diskutimet diplomatike në lidhje me konfliktet që ekzistojnë në Mesdheun Lindor, konfliktet e sigurisë, konfliktet e burimeve të energjisë, konfliktet detare.” – tha Pompeo në një konferencë shtypi në Uashington
“Palët duhet të ulen dhe të bisedojnë për këtë dhe ta zgjidhin atë në mënyrë diplomatike. Nuk është e dobishme të rritet tensioni ushtarak në rajon. Nga kjo rrjedhin vetëm gjëra negative.” – shtoi ai.
I pyetur në lidhje me vendimin e Uashingtonit për të hequr embargon e armëve ndaj Qipros, një veprim që ka zemëruar Turqinë, – Pompeo tha se vendimi dihej prej kohësh dhe ishte marrë shumë kohë më parë.
“Ne e dimë që ky vendim u njoftua në dritën e tensioneve të rritura në Mesdheun Lindor, por ne menduam se ishte gjëja e duhur, kështu që unë mora vendimin që të ecnim përpara me të.” – theksoi ai.