Lionel Messi, ka vendosur të qëndrojë në skuadrën spanjolle Barcelona edhe për një sezon tjetër.
“Unë i thashë klubit, përfshirë presidentit (Josep Maria Bartomeu), se doja të shkoja. Unë ia kam thënë këtë gjatë gjithë vitit. Besoja se ishte koha të largohesha”, tha Messi në një intervistë me faqen e lajmeve të futbollit Goal.
“Besoja se klubi kishte nevojë për më shumë lojtarë të rinj dhe mendova se koha ime në Barcelonë kishte mbaruar. Më vinte shumë keq sepse gjithmonë thoja se doja ta mbaroja karrierën time këtu. Ishte një vit shumë i vështirë, kam vuajtur shumë në stërvitje, në lojëra dhe në zhveshtore. Çdo gjë u bë shumë e vështirë për mua dhe erdhi një kohë kur unë mendoja të kërkoja ambicie të reja”, theksoi Messi.
Messi kritikoi Bartomeu-n, duke pohuar se ai nuk e mbajti fjalën në lidhje me largimin e tij nga klubi.
“Ai gjithmonë thoshte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse doja të largohesha ose të qëndroja dhe në fund ai nuk e mbajti fjalën e tij”, tha futbollisti argjentinas.
Messi i dërgoi një letër klubit më 25 gusht për të lejuar largimin e tij në një transferim të lirë dhe nuk mori pjesë në testet mjekësore të së dielës dhe seancën stërvitore para sezonit të hënën.
La Liga ka thënë se Messi është i detyruar të paguajë 700 milionë euro nëse prish kontratën e tij në mënyrë të njëanshme me Barcelonën.
Messi shtoi se ai nuk dëshiron të ndërmarrë hapa kundër Barcelonës.
”Presidenti gjithmonë më thoshte se ‘kur mbaron sezoni, vendos nëse qëndron apo largohesh’. Ai kurrë nuk vendosi një datë dhe kishte mbetur thjesht të zyrtarizoja që unë nuk do të vazhdoja, por jo të filloja luftë sepse nuk doja të luftoja kundër klubit”, deklaroi Messi.
Lojtari 33-vjeçar rinovoi marrëveshjen e tij me Barcelonën në vitin 2017 dhe marrëveshja e tij do të përfundojë më 30 qershor 2021.