Vendosni fjalën kyçe....

Juventusi në kërkim të një sulmuesi, kërkon rikthimin e Alvaro Moratës


Juventus është në kërkim të një sulmuesi pykë, që të udhëheqë repartin, i mbështetur nga Cristiano Ronaldo dhe Paulo Dybala, ndërsa emrat më të lakuar të ditëve të fundit janë boshnjaku Edin Dzeko dhe uruguaiani Luis Suarez.

Për këtë të fundit madje mediat italiane kanë raportuar se është arritur marrëveshje dhe se pritet vetëm të zgjidhet çështja e pasaportës italiane, pasi aktualisht Suarez është ekstra-komunitar dhe bardhezinjtë i kanë zënë vendet për futbollistë me status të tillë.

Megjithatë eksperti i merkatos dhe njëkohësisht menaxheri i disa futbollistëve, Giovanni Branchini bëri një deklaratë surprizë në një intervistë radiofonike mbrëmjen e djeshme, pasi zbuloi se objektivi i Juventusit nuk është rikthimi në Torino i Alvaro Moratës.

“Ju keni nominuar emra si Kean, Suarez, Cavani, e Dzeko, por nuk është asnjëri prej këtyre, sulmuesi që do t’i bashkohet Juventusit. Në dijeninë time, bardhezinjtë do të provojnë të sjellin në Torino Alvaro Moratën dhe kanë nisur punën për këtë. Më pas mund të vijë edhe Kean, por më shumë për çështje numrash, pasi është një futbollist i rritur në akademinë e klubit dhe mund të përfshihet lehtësisht në listën Champions”, deklaroi Branchini.

Morata ka luajtur me Juventusin në sezonet 2014-2016, pasi bardhezinjtë e blenë te Reali i Madridit për 20 milionë euro dhe këta të fundit ushtruan të drejtën e riblerjes për 30 milionë euro. Gjatë dy sezoneve me Juven, Morata luajti plot 93 ndeshje në të gjithë kompeticionet dhe arriti të shënojë 27 gola.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *