Përfaqësuesi i lartë i BE-së, për politikën e jashtme, Borrell, ka thënë sot se në bisedimet e 7 shtatorit më Kosovës e Serbisë do trajtohen edhe dy tema të ndjeshme. Bëhet fjalë për kërkesat pronësore e financiare si dhe rregullimet për komunitetet joshumicë në Kosovë.
“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – tha Borrell.
Sipas tij, në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve.” – shtoi zyrtari.
Takimi i Brukselit vjen pas atij të Uashingtonit në 4 shtator ku Kosova e Serbia nënshkruan një dokument me disa pika për normalizimin ekonomik mes tyre.