Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Lubjana Gjeçajn, gruaja në Tiranë e cila rezulton e dënuar në Itali për përfshirje në organizatë terroriste.
Lidhur me dënimin e saj në shtetin fqinj, 43-vjeçarja thotë se ka dashur ta kryejë por nuk e ka lënë shteti italian. Ajo thotë se do kërkojë ta vuajë dënimin në Shqipëri, për shkak të 3 fëmijëve të saj të mitur.
“Kam dijeni për vendimin e dhenë ndaj meje në Itali. Kam dashur të shkoj, të vuaj dënimin por s’më ka lejuar shteti italian. Do bëj kërkesë ta vuaj dënimin këtu pasi i kam fëmijët të mitur”.- ka thënë Gjeçaj.
Nëna e 3 fëmijëve dyshohet si pjesë e një celule terrori që rekrutonte vajza për t’i martuar me luftëtarët e ISIS-it.
Ajo dyshohet se ishte pjesë e bandës që u godit në korrik të 2015-ës, në kuadër të operacionit ‘Martesa’ që u zhvillua në Itali, Lushnjë, dhe Kanada. Ky grup gjente të rinj dhe i martonte ata në Turqi, e më pas i dërgonte ushtarë pranë ISIS-it.
Gjeçaj u arrestua 4 ditë më parë në Tiranë në një bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe ato shqiptare.