Marrëveshja e trepalëshe e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me investimin personal edhe të Presidentit Donald Trump, në politikën e Kosovës nuk ka gjetur mbështetje te të gjitha palët.
Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar një marrëveshje të gabuar dhe pikërisht kanë kritikuar më së shumti pikën ku prekej liqeni Ujmanit për shfrytëzim edhe nga shteti i Serbisë.
Për këtë, në një deklaratë ish-ministri i Jashtëm i qeverisë Kurti, Glauk Konjufca theksoi se kryeministri Avdullah Hoti është një i papërgjegjshëm dhe i dha resurset siç është liqeni Ujmanit për Serbinë.
“Për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm si Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë edhe që ai të del në tryezën e dialogut. Vetëm një ëndërr që e ka qe sa vite Serbia që nga pavarësia e Kosovës është që të hiqet kufiri pa njohje nga Serbia, kjo është ëndrra e Serbisë për një dominim ekonomik tregtar për Kosovën. Ujmani e përbën 70 përqind të ujit tonë që e posedon shteti i Kosovës dhe për herë të parë një kryeministër si Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë dhe që ai të dalë në tryezën e dialogut. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë ai e bën një krim të madh dhe kjo ndodhi tashmë”-deklaroi Konjufca.
Por deklaratën më të fortë lidhur me marrëveshjen Konjufca e bëri kur tha se marrëveshjen e firmosur në Uashington qeveria e Vetëvendosjes kur të vijë në pushtet nuk do e respektojë.
“Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën. Këtyre marrëveshjeve qeverisja e ardhme nuk ka dhe nuk ndjen asnjë obligim që t’u qëndrojë prapa, e as kompromiseve të këqija nga kryeministri jolegjitim Avdullah Hoti”-deklaroi Konjufca.
Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu deklaroi nga ana tjetër se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën pasi në pikat e saj është hequr termi Republikë.
“Ata shkuan kinse për njohje nga Serbia dhe u pajtuan që ta heqin termin “Republikë”. Kjo marrëveshje është në kundërshtim me nenin 4 të Kushtetutës në të cilën është përcaktuar qartë edhe forma e qeverisjes”-tha Albulena Haxhiu./Hashtag.al