Vendosni fjalën kyçe....

Meta për raportin e DASH-it: Tronditës, Rama bën ligje për oligarkët, SPAK-u ende asnjë hetim

Presidenti Meta e ka quajtur tronditës raportin e fundit të DASH-it (Departamenti Amerikan i Shtetit) për Shqipërinë.

Kreu i shtetit tha se gjetjet e raportit që e cilëson Shqipërinë si vendin me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor tregon për situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi.

Më tej Meta vëren se në cilësitë e presidentit ka kthyer dhjetëra ligje  për problemet që kanë pasur me kushtetushmëtinë, cënimin e interesit publik e kombëtar e cënimin e financave të shtetit.

Në qëndrimin e tij, presidenti thotë se procesi ligjbërës në vend po shpërdorohet haptazi në mënyrë flagrante në shërbim të një grupi të caktuar individësh.

Meta vëren gjithashtu se i ka bërë thirrje prokurorisë speciale që të hetojë aferat për korrupsion dhe ligjet e propozuara nga Kuvend në funksion të njën grupi personash por nga SPAK-u nuk ka nisur asnjë hetim i tillë.

Deklarata e Metës

“Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cenojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë.

Sipas konkluzioneve tronditëse të DASH ‘investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesi. Të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës’.

Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.

Edhe Banka Botërore në raportin e saj të Doing Business ka ngritur me shqetësim rritjen e barrës fiskale dhe ndryshimet e shpeshta në aktet ligjore dhe nënligjore.

Ndërsa Fondi Monetar më herët ka ngritur me shqetësim rrezikun nga rritja e numrit dhe të kostos së PPP-ve, si dhe rritjen e borxhit publik si pasojë e tyre.

Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.

Në këtë klime mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqendruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.

Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim!

Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *