Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka vizituar sot shkollën e Pezë Helmës, ku është takuar me prindër dhe nxënës të kësaj shkolle.
Siç ka mësuar Zhupa gjatë kësaj vizite, nxënësit e shkollës së Pezë Helmës megjithë premtimin se do ta kishin shkollën e tyre gati në shtator, të hënën mësimin do ta nisin me katër turne në shkollën e Vaqarrit.
Prindërit kanë treguar se e kanë të pamundur për ti dërguar fëmijët e tyre në Vaqarr me makinë. Një grup i cili do bëjë mësimin në turnin e katërt do e përfundojë mësimin në orën 20:00, orar i cili e bën të pamundur kthimin e fëmijëve vetë në shtëpi.
“Kjo është një shkollë që ka mbajtur 300 nxënës dhe rreth 60 parashkollorë që studionin në ambientet e kësaj shkolle.
Kjo shkollë ka një vit që është shkatërruar dhe është lënë në harresë nga shteti.
Ndërkohë që Edi Rama dhe Erjon Veliaj kanë premtuar që do të bënin rindërtimin dhe viti i ri shkollor nuk do të gjente askënd pa shkuar në bankën e shkollës tek shkollat e rindërtuara, ne kemi në fakt një vit të ri shkollor që na gjen pa as edhe një shkollë të rindërtuar.
Sot nuk është rindërtuar asnjë shkollë në të gjithë Shqipërinë, për t’i siguruar nxënësve vazhdimësinë e vitit te ri shkollor në kushte normale.
Janë lajmëruar se do të vazhdojnë në Vaqarr, Vaqarri është shumë larg me Pezë Helmësin dhe duhet transport publik ose makinë.
Është vendosur që nxënësit të bëjnë mësim me nga 20 min me 4 turne duke vazhduar deri në orën 8 të darkës. Pamundësi për edukim cilësorë dhe pamundësi që brenda klasave të merret dija, të bëhen pyetjet e nevojshme nga nxënësit që duan të shkollohen dhe të marrin dije për jetën por më e keqja është se si familjet e tyre do ta përballojnë çuarjen e fëmijëve në këto shkolla dhe kthimin nga shkolla”, – deklaroi zonja Zhupa.
Një prind ka treguar se ai nuk do t’i dërgojë fare fëmijët në shkollë, pasi i ka në turne të ndryshme dhe i bie të lërë punën për t’i dërguar e për t’i marrë nga shkolla me radhë.
“Të na kishin thënë se nuk e bëjmë shkollën, e kishim bërë vetë, me lekë e pa lekë. Ose të heqin dorë e të vazhdojmë të bëjmë vetë si popull çfarë të duam.” – thotë zotëria.