Vendosni fjalën kyçe....

Studimi zbulon skepticizmin e madh në mbarë botën për vaksinat


Një studim i publikuar nga “The Lancet” ka treguar se polarizimi politik dhe dezinformimi në internet po kërcënojnë programet e vaksinimit në të gjithë botën, pasi publiku po humb besimin në të gjithë botën.

Studimi, i cili përshkruan tendencat e besimit të vaksinave në 149 vende midis viteve 2015 dhe 2019, zbuloi se skepticizmi në lidhje me sigurinë e vaksinave tenton të rritet së bashku me paqëndrueshmërinë politike dhe ekstremizmin fetar.

“Është tejet e rëndësishme që kur ka sëmundje të reja dhe kërcënime sikurse pandemia me koronavirus, ne të vëzhgojmë rregullisht sjelljen publike”, thotë Heidi Larson, profesoreshë në shkollën e Londrës për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale, që ka drejtuar studimin.

“Perceptimet në lidhje me vaksinat janë shumë më të paqëndrueshme sesa kanë qenë dikur”, ka thënë ajo në një konferencë. “Në përgjithësi, ka shumë besim në botë për vaksinat. Por mos e merrni si të mirëqenë. Besimi rritet e ulet … është shumë e ndryshueshme. ”

Gjetjet e Larson bazohen në të dhëna të marra nga më shumë se 284,000 të rritur të pyetur në vitin 2019 nëse i shohin vaksinat si të rëndësishme, të sigurta dhe efektive.

Larson ka thënë se ndërkohë që prodhuesit e ilaçeve dhe hulumtuesit janë duke bërë garë për zhvillim të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, qeveritë duhet të jenë shumë më vigjilente kur i qasen besimit publik për vaksinat si dhe kur kthejnë përgjigje të shpejta për shqetësimet.

“Ka shumë ankth në lidhje me shpejtësinë e zhvillimit të vaksinave për COVID-19”, tha ajo. “Por publiku nuk është me të vërtetë i prirur për shpejtësi – ata janë më të prirur për përpikmërinë, efektivitetin dhe sigurinë.”

Rezultatet e studimit tregojnë se besimi në vaksina në Evropë është i ulët në krahasim me rajone tjera në botë sikurse Afrika, pasi proporcioni i personave që pajtohen se vaksinat janë të sigurta dallon nga rreth 19 për qind në Lituani, deri në 66 për qind në Finlandë.

Iraku, Liberia dhe Senegali kanë pasur shkallën më të lartë të respodentëve që më 2019 janë pajtuar se vaksinat janë të rëndësishme.

Mirëpo, besimi publik në vaksina është rritur në disa shtete evropiane nga viti 2015, përfshirë Francën, Italinë, Irlandën dhe Britaninë.

Ky studim ka gjetur gjashtë shtete ku besimi në vaksina ka rënë dukshëm nga viti 2015.

Në Indonezi, Pakistan, Serbi, Azerbajxhan, Afganistan dhe Nigeri, është rritur dukshëm propocioni i njerëzve që nuk pajtohen aspak se vaksinat janë të sigurta. Kjo gjë sipas LArson është e lidhur me trendet e mungesës së stabilitetit politik dhe ekstremizmit fetar në këto shtete.

“Në këto shtete, ka më shumë polarizim të ndjenjave. Më shumë njerëz janë duke iu bashkëngjitur ekstremeve ‘të mospajtimit të thellë’, apo ‘dakordimit të fuqishëm”, thotë ajo.

Indonezia ka përjetuar rënie të madhe të besimit publik në periudhën 2015/19, e nxitur pjesërisht nga liderët myslimanë që kanë vënë në pikëpyetje një varg sëmundjesh si fruthi dhe rubeola, apo nga mjekët popullorë që promovojnë si alternativa natyrale karshi vaksinave.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Reuters


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *