Kryebashkiaku Erion Veliaj, inagouroi sot rindërtimin e shkollës Jeronim De Rada me fondet e shtetit të Kuwajtit.
Ish deputetja Albana Vokshi në një dalje për mediat tha se 1/4 e mësuesve të kësaj shkollë janë të infektuar me Covid-19. Ajo kërkoi realizimin e testimit kombëtar për koronavirus për mësuesit.
Ajo theksoi se shkollat janë masivisht të papërgatitura dhe mësuesit së bashku me fëmijët janë në mëshirë të fatit.
Deklarata e plotë:
Disa momente më parë në shkollën de Rada ishte Erion Veliajn për të inauguruar një shkollë të rikonstruktuar me fondet e shtetit mik të Katarit. Aty nuk kishte mësues, nuk kishte as prindër, pasi në shkollën de Rada është përhapur masivisht COVID-i.
Propaganda kriminale e dyshes Rama-Veliaj nuk mund të fshehë problemin kryesor sot me shkollat, një ditë përpara fillimit të vitit të ri shkollor, se shkollat publike janë masivisht të papërgatitura për të përballuar pandeminë dhe se fëmijët dhe mësuesit janë në mëshirë të fatit.
Mbrëmë në orët e vona të natës pranë grupit te punes prane PD te ngritur nga Kryetari Lulzim Basha kanë ardhur disa denoncime e shqetësime në lidhje me këtë çështje.
Në shkollën de Rada, fatkeqësisht, janë rreth 10 mësues që kanë rezultuar pozitivë me covid. Kjo është 1/4 e stafit mësimor. Është një situatë alarmante që do të vinte në lëvizje çdo qeveri në botë, por jo këtë tonën, e cila kërkon të bëhet vetëm shoë dhe të fshehë paaftësinë e saj.
Çfarë e bën gjendjen më skandaloze është pashpirtësia e kryebashkiakut të Tiranës. Ai ka përjashtuar nga ceremonia sot të gjithë mësuesit që kanë patur kontakt të afërt me mësuesit e infektuar për të mos rrezikuar asgjë vetë.
Po për fëmijët e kësaj shkolle a tregohet i njëjti kujdes? As që bëhet fjalë! Mësuesit që kanë patur kontakt me ata që janë infektuar janë urdhëruar të dalin nesër të japin mësim, pa iu bërë testi, pa qenë të sigurtë. Këto janë dy standardet e këtij pushteti. Për vete siguri maksimale, për fëmijët e të tjerëve dhe mësuesit asnjë kujdes.
Për PD jeta dhe shëndeti i çdo nxënësi, i çdo mësuesi është e shenjtë. Shkolla Jerenim de Rada nuk duhet hapur nesër. Le të vijë prapë Veliaj dhe Rama ta inaugurojnë, por nxënësit dhe mësuesit duhen kursyer. Ministria duhet të marrë masat që një shkollë me gjendje të rënduar nga COVID të mos nisë pa bërë testimin e mësuesve dhe pa u siguruar për ta.
Rasti i shkollës de Rada provoi se kërkesa e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për testim masiv të mësuesve është kërkesë e drejtë dhe urgjente.
Testimi covid dhe serologjik do të evidentojë zonat e infeksionit dhe do të japë mundësi të izolojë përhapjen e virusit nga mësuesit tek nxënësit dhe nga nxënësit tek prindërit dhe gjyshërit.
Testimi nuk i kushton shumë qeverisë. Mjafton që ajo të heqë dorë nga disa lukse të saj.
Për rreth 40 mijë mësues dhe punonjës më shkolla në të gjithë vendin duhen vetëm 1.6 milionë euro. Është një investim minimal për sigurinë e shëndetit të mësuesve, të nxënësve dhe familjarëve të tyre. 1.6 milionë euro testime për shkollat janë sa disa udhëtime me charter të Edi Ramës dhe ndonjë koncert i Erion Veliajt.
Qeveria duhet të heqë dorë nga lënia e përgjegjësisë vetëm tek prindërit siç po bën me
Formularin e Deklarimit të përditshëm për gjendjen shëndetësore të fëmijëve. Ka akoma kohë që qeveria të marrë masat e duhura.
- Të vendosë matës dixhital temperature në çdo shkollë të vendit
- Të sigurojë kushte normale higjenike dhe ujë të rrjedhshëm
- Të bëjë testin covid dhe atë serologjik për mësuesit
- Të rrisë numrin e mësuesve për zhvillimin normal të procesit mësimor. Mësimi me disa turne nga të njëjtët mesues është rraskapitës dhe do të ndikojë për keq në cilësinë e mësimdhënies.
- Të rrisë shpërblimin për mësuesit që po punojnë në kushte të jashtëzakonshme.
Shëndeti i çdo fëmije dhe mësuesit është prioritet për PD. Por ai duhet të shkojë paralel me cilësinë në arsim, në mënyrë që në Shqipëri të mos rritet një brez COVID.