Presidenti Ilir Meta ka bërë një urim për të gjithë nxënësit dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor.
“Të dashur nxënës dhe prindër, Të nderuar mësues dhe drejtues të institucioneve arsimore, Sot shoqëria shqiptare nis një rrugëtim tjetër të ri drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, që mund të jetë e tillë vetëm nëse garantohet edukimi cilësor i brezit të ri. Investimi më i madh për shoqërinë është arsimimi i duhur i rinisë. Në këtë mënyrë garantohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë progresiv, por edhe integrimi i sigurtë në familjen europiane.”– shkruan Meta.
Kreu i shtetit shpreh shqetësimin e tij dhe i bën thirrje të gjithë nxënësve që kanë lënë shkollën për arsye të ndryshme. Ai u kërkon prindërve që t’i kthejnë fëmijët në shkollë, pavarësisht vështirësive.
“Është dita për të theksuar me forcë që çdo fëmijë që për shkak të varfërisë e ka të pamundur të shkojë shkollë, duhet integruar në sistemin arsimor, përmes politikave konkrete, të drejta e sociale që i shpallin luftë mjerimit dhe papunësisë. Por nuk mund të mos përsëris thirrjen drejtuar prindërve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.”– tha ai.
Meta ka adresuar edhe njëherë fenomenin e shpopullimit të vendit, ku veçanërisht janë të rinjtë ata që largohen. Ai e ka konsideruar këtë fenomen një emergjencë kombëtare, ndërsa thekson se ka ardhur koha për të reaguar.
“Jam shumë i shqetësuar që pjesa dërrmuese e të rinjve tanë, veçanërisht studentët, ende dëshirojnë të largohen nga vendi. Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Fenomeni thellësisht shqetësues i shpopullimit, është një emergjencë kombëtare, që ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në sektorin e arsimit, me ulje të numrit të nxënësve në shkolla dhe plakje të popullsisë.
Është koha jo vetëm të mendojmë seriozisht, por edhe të reagojmë fuqimisht për të mbrojtur të ardhmen tonë nga ky erozion i tmerrshëm social, vlerash dhe besimi. Jam i bindur se rinia do të na udhëheqë në këtë proces, ashtu si 30 vite më parë!”- shprehet presidenti.
Arsimit shqiptar i janë shtuar edhe disa sfida të tjera për shkak të pandemisë Covid-19, ku cdokush madje dhe vogëlueshët e vegjël duhet të përshtaten me të gjitha masat. Meta shprehet skeptik për punën e Ministrisë së Arsimit, pas vendimit për hapjen e shkollave.
“Këtyre sfidave të arsimit shqiptar, këtë Viti i Ri Shkollor, u shtohen edhe vështirësitë e mëdha të krijuara në përballjen me pandeminë COVID-19. Në kushtet e reja është tepër e domosdoshme të respektohen me rigorozitet protokollet shëndetësore në të gjitha institucionet arsimore, me objektiv kryesor mbrojtjen e shëndetit dhe jetës të çdo nxënësi dhe mësuesi.
Shpresoj që qeveria dhe Ministria e Arsimit, përtej propagandës, të kenë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces normal mësimor, pa pasoja në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës vërtet shqetësuese. Një urim tepër të veçantë për shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor kam për të gjithë vogëlushët që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës! Mirënjohjen për të gjithë mësuesit, që me përkushtim e sakrifica arsimojnë brezat e rinj! Koha për të kontribuar të gjithë që Shqipëria të mos jetë më vendi i shpresave të thyera”, shkruan Meta.