San Francisco do të lejojë sallonet e bukurisë të rihapen këtë të hënë, gati gjashtë muaj pasi të gjitha bizneset u mbyllën për shkak të pandemisë.
Gjithashtu do të lejohet dhe hapja e hoteleve dhe palestrave, raporton Breitbart.
Ky vendim vjen pak javë pas incidentit të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e cila u filmua brenda një salloni bukurie në kundërshtim me rregullat e vendosura për shkak të Covid-19 që nuk e lejonin këtë lloj aktiviteti. Mbi të gjitha pa maskë.
San Francisco Chronicle raporton se vendimi për rihapjen shoqërohet me rregulla strikte, me klientët që duhet të mbajnë maska vënë në çdo kohë brenda dhe jashtë.
Dr. Grant Colfax, drejtori i shëndetit publik në San Francisko, tha në një deklaratë: “Duke pasur parasysh trendin tonë lokal të treguesve të COVID, aktivitetet e brendshme me rrezik të ulët, mund të rifillojnë me kapacitet të kufizuar. Ne do të vazhdojmë rihapjen tonë graduale pasi na lejon të monitorojmë përhapjen, të menaxhojmë sfidat e saj të menjëhershme dhe të zbusim ndikimin afatgjatë në qytetin tonë.”
Prej muajsh nga pronarët e floktoreve dhe të palestrave kërkonin të rinisnin aktivitetin e tyre, po ashtu dhe udhëheqësit fetarë të cilët ankoheshin që nuk mbajnë dot shërbime fetare brenda kishave/xhamive.
Megjithëse shumë sallone të San Franciskos do të hapen sot, përjashtim bën salloni i Erica Kious, e cila publikoi videon e Pelosit.
Kious ka deklaruar se pas kërcënimeve që ka marrë për shkak të incidentit të Pelosit, ajo e ka mbyllur biznesin e saj në San Francisco.