Vendosni fjalën kyçe....

Dy të vdekur dhe 2 të zhdukur në Greqi nga stuhia ‘Ianos’, mes tyre një fermer shqiptar


Të paktën dy njerëz kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur në Thesali (në Greqinë qendrore) mëngjesin e kësaj të shtune, ndërsa uragani Ianos po godet Greqinë për të tretën ditë.

Në qytetin Farsala në Thesali, një grua e moshuar u gjet e vdekur në shtëpinë e saj pasi stuhia shkaktoi përmbytje në qytet, raporton Greekreporter.

Po ashtu një fermer i cili konsiderohej i zhdukur, u gjet i vdekur të premten vonë në Karditsa.

Disa media shkruajnë se ai ishte 63-vjeç, me origjinë nga Shqipëria. Djali i tij e kërkonte prej mbrëmjes së djeshme kur argjinaturat e lumenjve shpërthyen dhe uji mori përpara gjithçka. Emri i tij nuk bëhet ende i ditur. Mëngjesin e sotëm, trupi i pajetë i fermerit shqiptar është gjetur nga ekipet zjarrfikëse dhe djali i tij në një zonë afër spitalit të qytetit.

Pamjet e publikuara nga rajoni i Karditsa-s kanë treguar dëme katastrofike nga stuhia. Atje, një grua 40-vjeçare konsiderohet e zhdukur pasi u rrëmbye nga rrymat e forta të përmbytjes.

Ndërsa “Ianos” po shkatërron pjesën më të madhe të Greqisë me erëra të forta dhe shira të rrëmbyer, disa rajone të vendit janë përballur me përmbytje të rrezikshme. Rreth 30 njerëz kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre në Farsala.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *