Në raportin e publikuar nga senatorët republikanë, thuhet se Hunter Biden u dërgoi “mijëra dollarë” njerëzve që duket se janë të përfshirë në industrinë e seksit, raporton New York Post.
Raporti pretendon se të dhëna të paspecifikuara tregojnë se Biden “u ka dërguar fonde grave të huaja jo-rezidente në Shtetet e Bashkuara të cilat janë shtetase të Rusisë dhe Ukrainës dhe të cilat më pas kanë lidhur fondet që kanë marrë nga Hunter Biden, për individë të vendosur në Rusi dhe Ukrainë”.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se disa nga këto transaksione janë të lidhura me atë që “duket të jetë një rrjet i prostitucionit ose trafikimit njerëzor të Evropës Lindore”, citon NYP.
Pretendimet përmbahen në një pjesë të raportit që detajon “shqetësimet kriminale dhe kërcënimet e zhvatjes” që përfshijnë Hunter Biden dhe anëtarët e tjerë të familjes Biden.
Sipas repblikanëve, të dhënat në raport vërtetojnë se Hunter Biden u dërgoi mijëra dollarë individëve të cilët ose:
1) ishin përfshirë në transaksione në përputhje me trafikimin e mundshëm të qenieve njerëzore;
2) janë të lidhur me industrinë e argëtimit për të rritur;
ose 3) me lidhje të mundshme me prostitucion.