Europa po përpiqet të krijojë një faqe në web të stilit Amazon, për të shitur qindra miliarda euro kredi bankare që janë ndikuar nga kriza e koronavirusit, në përpjekje për të mbështetur ekonominë dhe sfiduar investitorët e mëdhenj të borxhit në Wall Street.
Ky plan, i menduar nga zyrtarë të lartë të Bankës Qendrore Europiane, është pjesë e përpjekjes së Eurozonës për të trajtuar malin e kredive të këqija, dhe synon të parandalojë fondet që t’i blejnë me çmimie tejet të ulëta. “Ideja është hapja e tregut ndaj blerësve me portofole më të vogla, me një treg të stilit të Amazon apo eBay”,- tha Edward O’Brian, zyrtar i lartë i bankës, i përfshirë tek plani.
Fondet e mëdha kanë blerë miliarda euro kredi pas krizës së fundit financiare, duke marrë gjatë këtij procesi një numër gjigant të pronave, ku disa prej tyre janë rritur në vlerë, raporton Scan-tv. “Tregu për kreditë e këqija është dominuar nga pak blerës të mëdhenj.
Nën një skenar tipik, një nga këto firma mund të blerë një portofol gjigant të kredive, me zbritje të mëdha”,- tha O’Brien. Një studim nga Deloitte zbuloi se në mbi 450 miliardë euro kredi të shitura në Europë mes 2014 – 2019, thuajse gjysma janë blerë nga Cerberus, Blackstone, Lone Star dhe Goldman Sachs.
Bankat “shkarkojnë” borxhin e keq, zakonisht në një pjesë të vogël të vlerës nominale, për të liruar bilancet dhe shtuar huadhënien.
Skema e BQE, që nuk është nënshkruar ende, është frymëzuar nga faqja italiane BlinkS, që lidh blerësit dhe shitësit e kredive, si dhe ankandet e borxhit nga agjencitë federale në SHBA. Borxhi në Eurozonë, që konsiderohet si me pak gjasa për t’u ripaguar ndonjëherë, arrin në mbi gjysmë trilionë euro, përfshirë kartat e kreditit, kreditë e makinave dhe ato hipotekare.