Policia e Kavajës ka kapur dhe arrestuar një 46-vjeçar i cili akuzohet për vjedhje banesash dhe portofolash.
46-vjeçari me inicialet A.Gj, rezulton me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
Sipas policisë ai kryente sërish të njëjtën veprimtari kriminale duke shpërndarë lëndë narkotike në doza të vogla.Kjo pasi në banesën e 46-vjeçarit, u gjetën 277 gramë lëndë narkotike kanabis.
Detajet e Policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, bazuar dhe në pamjet filmike, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 46 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve, konkretisht:
– Më datë 26.09.2020 ka vjedhur banesën e shtetasit F. H.
– Më datë 19.07.2020 i ka vjedhur shtetases E. S., çantën e dorës.
-Më datë 28.06.2020 ka vjedhur banesën e shtetasit F.Sh.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 277 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa si dhe bimë të kultivuar në oborrin e banesës.
46-vjeçari, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e vjedhjeve të lartpërmendura dhe të sendeve të kundraligjshme të sekuestruara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.