Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Së shpejti do kemi 10 parkingje të reja rezidenciale në Tiranë


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka premtuar realizimin e dhjetë parkingjeve të reja rezidenciale në kryeqytet.

“Një nga gjërat që do të bëjmë më buxhetin e këtij viti është parashikimi i 10 parkingjeve të reja në Tiranë. Njerëzit, për politikë, shfrytëzojnë situata të ndryshme, por të shfrytëzosh korsitë e biçikletave për të venë kundër shoferët e makinave është kanibalizëm urban. Nëse ata që mendojnë se biçikletat shtojnë trafikun, imagjino nëse ata që kanë biçikleta të kishin të gjithë makina. Kjo nuk zgjidhet me histeri e me kanibalizëm urban, por me projekte konkrete. Këtë mund ta zgjidhë ajo forcë, e cila ndërtoi parkingje nëntokësore në kryeqytet. Në 4 vitet para ardhjes tonë në bashki nuk u ndërtua asnjë parking nëntokësor. Tirana kishte të njëjtat vende parkimi dhe s’kishte as agjenci parkimi. Ndërkohë, u ndërtua parkimi nëntokësor tek “Sheshi Skënderbej”, tek “Bulevardi i Ri”, tek “7 Xhuxhat”, tek “Arena Kombëtare”, si dhe parkime mbitokësore tek “Selman Stërmasi” dhe tek “Pazari i Ri” e kështu me radhë. Jo vetëm që nuk do ndalojmë modernizimin e Tiranës, por përkundrazi do planifikojmë në këtë rritje të buxhetit edhe 10 parkingje të reja në Tiranë”- tha Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Veliaj foli mes të tjerash dhe për procesin e Rindërtimit. Ai deklaroi sot se me mbylljen e ciklit të kompensimeve dhe të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit të 21 shtatorit 2019, fokusi tashmë është te lagjet e reja dhe rindërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit.

Ai tha se Këshilli Bashkiak i Tiranës do t’i hapë rrugën procesit të ndërtimit të pallateve të reja, në dy lagjet e reja në kryeqytet, në Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku do të strehohen të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *