Vendosni fjalën kyçe....

“New York Times” thotë se Trump s’ka paguar 10 vite taksa, presidenti amerikan e mohon


“New York Times’ ka rikthyer debatin për taksat e presidentit amerikan Donald Trump, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve. NYT pretendon se ka marrë të dhëna për pagesën e taksave të presidentit që shtrihen për më shumë se dy dekada.

Sipas gazetës në vitin 2016 kur kandidoi për president, Trump ka paguar vetëm 750 dollarë taksa federale mbi të ardhurat dhe se të njëjtën gjë bëri edhe gjatë vitit të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas raportit të gazetës ai gjithashtu nuk ka paguar asnjë taksë federale mbi të ardhurat në 10 nga 15 vitet e fundit.

“Donald J. Trump pagoi 750 dollarë taksa federale mbi të ardhurat vitin që fitoi presidencën. Në vitin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai pagoi 750 dollarë të tjerë.
Ai nuk kishte paguar fare taksa mbi të ardhurat në 10 nga 15 vitet e mëparshme – kryesisht për shkak se ai raportoi se kishte humbur shumë më shumë para sesa kishte fituar.” raporton gazeta.

Zbulimet financiare tregojnë se Trump ka fituar të paktën 434.9 milionë dollarë në 2018-ën, por regjistrimet e taksave raportuan për një humbje prej 47.4 milionë dollarë.

Presidenti reagoi lidhur me këtë publikim gjatë një konference për mediat, ku tha se e gjithë historia ishte e trilluar.

Ai e akuzoi Times se e kishte kthyer në rutinë publikimin e “një historie të rreme pas një tjetre” për presidencën e tij.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë; kjo është arsyeja pse media ka një vlerësim kaq të ulët ”– vazhdoi Trump, citon Breitbart.

Presidenti pretendoi se ai “ka paguar shumë” taksa duke përfshirë këtu dhe taksat e të ardhurave të shtetit në New York. Ai tha se taksat e tij së shpejti do të bëhen publike si rezultat i vendimeve të fundit të gjykatës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *