Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, do të intervistohet sot në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.
Siç shkruajnë mediat në Kosovë, ntervistimi pritet të fillojë nga ora 9:30.
Zoti Çeku konfirmoi pak kohë më parë se Gjykata Speciale e kishte ftuar në cilësinë e të dyshuarit.
“Po dje kam marrë ftesë nga Specialja, në cilësinë e të dyshuarit dhe do të udhëtojë atje më 28 shtator”, zbuloi Çeku në fillim të këtij muaji.
Çeku ka qenë kryeministër i Kosovës dhe ka shërbyer edhe si ministër i FSK-së.
Kujtojmë se Gjykata Speciale ka dërguar deri më tani ftesa për më shumë se 200 persona, ish-pjesëtarë të UÇK-së, si dëshmitarë dhe të dyshuar.
Prokurori i Specializuar më 24 qershor të këtij viti publikoi dhe një propozim-aktakuzë për dy krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.