Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Luigi Soreca ka reaguar lidhur me diskutimet e Komisionit të Ligjeve për të ndryshuar Kodin Zgjedhor.
Soreca ka përsëritur se duhet të zbatohet marrëveshja e 5 qershorit që bazohet në rekomandimet e OSBE/ODHIR.
Më tej Soreca thekson se çdo ndryshim i mëtejshëm në nenet e kodit zgjedhor duhet të diskutohet në Këshillin Politik që të jenë sa më gjithëpërfshirëse.
“Ne përsërisim qëndrimin tonë që marrëveshja e 5 qershorit, e cila ka zbatuar rekomandimet e OSBE / ODHIR mbi reformën zgjedhore, duhet të respektohet. Ne gjithashtu konfirmojmë rëndësinë që çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e kodit zgjedhor shqiptar, të cilat shkojnë përtej fushës së marrëveshjes së 5 qershorit, diskutohet si duhet në kuadrin e Këshillit Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohet në Parlament”-shkruan Soreca.