Vendosni fjalën kyçe....

Dita e dytë e grevës për naftëtarët: Nuk përleshemi ne me policinë, janë ata në vendin e gabuar


Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë. Ata kërkojnë marrjen e pagave e tyre të prapambetura dhe kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar Sokol Dautaj, ka deklaruar se ata nuk duan që greva të zgjasë, por janë të detyruar. Ai thotë se nuk kanë marrë ende një përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre.

“Ne nuk do donim që kjo grevë të zgjaste. Ne i kemi paraqitur kërkesat tona.
Ata thjeshtë nuk duan të reagojnë. është greva e dytë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Nuk dolën naftëtarët nga greva herën e parë se ndodhi një gjë e madhe, por ranë dakord për të ringjallur rafinerinë.
Kur pandemia ra, ra dhe çmimi i naftës, pse nuk filloi puna në rafineri? Ne gjendemi pas 5 muajsh dhe s’kemi asnjë përgjigje të saktë. Personat që u paraqitën nga kompania na morën kopjet e kontratave dhe na premtuan një pagë.
Personat që duhet të vijnë heshtin. Ky është acarimi i naftëtarëve. Nëse vërtet do të punohet le të vijnë, nëse jo atëhere t’i drejtohemi gjyqit të cilin do ta fitojmë.
Greva e urisë është për t’i treguar të gjithë atyre lart që naftëtarët janë njerëz të punës, mikpritës, të qetë. Pasojat bien mbi ne, mbi naftëtarët. Nuk janë naftëtarët ata që përleshen me policinë në dyert e rafinerisë. Përkundrazi, ishte policia në vendin e gabuar.”- tha Dautaj.

Një nga naftëtarët i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të vërë zemrën në dorë, pasi kanë mbetur në mes të rrugës. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë përveç se pagat e tyre.

“Ne jemi futur në këtë grevë të detyruar, sepse kemi bërë udhëtimin tonë që në Tiranë për të marrë pagat e prapambetura. Duam të na jepen 2 vitet që nuk jemi paguar dhe ne të shikojmë hallin tonë. Në qoftë se ai ka nevojë për ne që ta riparojë uzinën, të na marrë dhe jemi në gjendje, jemi specialistë për ta ndryshuar këtë uzinë. Jemi të vendosur që nga kjo grevë nuk do dalim pa marrë një përgjigje dhe i lutemi kryeministrit Edi Rama që të vërë dorën në zemër për këtë uzinë, se na ka lënë në mes të rrugës. Prandaj e bëj këtë thirrje hapur në këtë media që të marrin masat sa më përpara se jemi edhe në gjendje shëndetësore shumë të keqe. Deri tani nuk kemi asnjë lloj reagimi, as nga qeveria as nga ministria dhe nga ato dy dikastere ne presim përgjigje. Jemi të vendosur deri në fund, të plotësohen kërkesat tona të bazuara në ligj”, tha naftëtari.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *