Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi e ka cilësuar operacion kriminal zhvendosjen e panjoftuar të vendbanimeve të disa qytetarëve, një veprim ky i denoncuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Boom”.
Bardhi shton se ligji thotë qartë që nëse ndryshon vendbanimi ndryshon edhe qendra e votimit.
“Qeveria e Edi Ramës ka nisur manipulimin e listave dhe nuk ka mashtrim të Sandër Lleshajt që ta mbulojë këtë operacion kriminal.
Emisioni investigativ “Boom” e ka ka kapur me presh në duar Sandër Lleshajn dhe Edi Ramën. Dëshmitë e qytetarëve janë të drejtëpërdrejta dhe nuk lënë vend për diskutime. Qytetarëve u është ndërruar vendbanimi pa kërkesën e tyre, në shkelje flagrante të ligjit.
Ligji e thotë qartë se me ndryshimin e vendbanimit, qendra e votimit ndryshon automatikisht. Çfarë thotë Sandër Lleshaj, është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar manipulimin e listave të votuesve, një tjetër përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës përpara largimit të pashmangshëm.
Do apo nuk do Edi Rama, qytetarët do të dalin në votime masivisht dhe do të çlirohen nga ky regjim që vetëm i vjedh.
Askush nuk do të guxojë të prekë votën e lirë! Partia Demokratike po bën gati kallëzimin penale për Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj për shkeljen e rëndë të ligjit dhe të së drejtës për votim të qytetarëve. Që nga Sandër Lleshaj deri tek nëpunësi më i thjeshtë që fut duart në listat e votuesve për të deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit!”-shkruan Bardhi.