Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj në emisionin Ilva Now foli se çfarë po ndodh me sistemin e adresave disa muaj përpara zgjedhjeve me ankesat e qytetarëve për ndryshim pa dijeni të tyre.
Doracaj tha se prej 30 vitesh që sistemi i adresave nuk punon dhe qytetarët janë marrë vesh me pika referimi popullor. Ai tregoi se në vitin 2016 qeveria akordoi një fond për krijimin e një sistemi të ri adresash, procesi kishte të bënte me intervistimin në terren të qytetarëve dhe se në vitin 2019 nisi implementimi i projektit duke bashkuar dy regjistrat, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe atë të adresave.
Ai tha se nuk ka gabim dhe as mbivendosje por ka të bëjë me regjistrimin e banorëve lidhur me vendbanimin e tyre dhe me bashkimin e regjistrave u del tjetër vendbanimi dhe tjetër adresa.
“Gjatë bashkimit të dy regjistrave… është një numër i konsideruar… nuk dua të hidhem te shifrat, nuk është gabim as mbivendosje, është një numër qytetarësh që nuk janë gjendur në adresën ku jetojnë apo ku janë deklaruar, por në një adresë tjetër. Gjatë bashkimit të regjistrave qytetarët që janë gjetur gjatë intervistimit u konstatua se ata nuk banojnë aty ku e kanë deklaruar, dhe ku janë bashkuar regjistrat u del se vendbanimi u del si për shembull te njësia 5 në Tiranë dhe adresa u del në Kavajë, Vlorë… qytetarëve që kanë shtëpi të dyta,” – u shpreh Doracaj duke këmbëngulur se askush nuk ka ndryshuar vendbanimin.
“Vendbanimi ndryshohet duke u paraqitur vetë me dokumentacion përkatës te zyra e gjendjes civile ku do të shkojë, ky është një konflikt që është krijuar te adresat, që do të thotë rrjedhimisht as qendrat e votimit as lista e zgjedhjeve, aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën… do të votojnë edhe në 2021-in atje ku kanë votuar, vetëm nëse e kanë ndryshuar vetë vendbanimin më pas,” – tha Doracaj.
Doracaj u shpreh i hapur për çdo lloj padie që u paralajmërua nga opozita për “përdorim elektoral” të zyrave të shtetit. Ai shtoi se për të gjitha pretendimet ka kërkuar që të hetohet pasi saktësimi i adresave është detyrim ligjor për qytetarët.
Ditën e sotme edhe Ministri i Brendshëm reagoi lidhur me denoncimin të disa qytetarëve lidhur me këtë problematikë në emisionin BOOM ku përmendin se po bëhej për efekt elektoral.
Lleshaj e mohoi këtë duke thënë se është lajm i rremë. Ministri tha se qytetarët do të vazhdojnë të votojnë në qendrat përkatëse ku kanë votuar herën e fundit.
“Procesi i përditësimit apo saktësimit të adresave NUK prek qendrën e votimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qytetarët do të vijojnë të votojnë në qendrat e tyre të mëparshme. Sa i përket lajmeve të rreme, me duhet të them se organet përgjegjëse do të thellohen në verifikimet dhe hetimet përkatëse, me qëllim që të parandalohen apo goditen ligjërisht të gjitha përpjekjet e paligjshme për të krijuar konfuzion, për të intimiduar apo për të ndikuar në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Ftoj me ketë rast mediat dhe aktorët e tjerë publikë apo politikë që të distancohen nga tentativat për përhapjen e lajmeve të rreme në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve si dhe i inkurajoj ato që të verifikojnë paraprakisht në burime të pakontestueshme, ku përfshihen edhe institucionet përgjegjëse ligjore, informacionet që lidhen me çështje kaq të rëndësishme, ku dezinformimi dëmton dukshëm interesin publik.
Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë po u ndodh votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët. Asnjë! Dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim arbitrar të qendrave të votimit.