Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në emision “Real Story” komentoi raportin e fundit të INSTAT i cili nxori se ekonomia ka rënë me 10.23% në vendin tonë për 3 mujorin e dytë të vitit 2020 kur edhe u izolua vendi për shkak të Covid-19.
Denaj tha se pavarësisht se tkurrja 10% e ekonomisë është negative, është pak më mirë se sa skenarët negativë që kishte parashikuar qeveria.
Sipas saj, skenarët negativë e nxirrnin Shqipërinë me një rënie ekonomike në 3-mujorin e dytë prej 14-16%.
Ajo gjithashtu ka theksuar se paketat ekonomike i erdhën në ndihmë ekonomisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, pasi ndihmuan 250 mijë shqiptarë dhe evituan nivelin e mundshëm të varfërisë me 40% për shtresën mesatare.
“Situata në një vit si ky, nuk është situata që mund të na bëjë të ndihemi mirë. Jemi përballuar me dy probleme që kanë goditur ekonominë dhe familjen. Buxheti familjar është tkurrur. Sot ka dalë raporti i INSTAT. Por tkurrja e konsumit dhe ulja e të ardhurave familjare vjen prej shumë faktorët. Por e bëri më të vogël konsumin.
Kemi një 3-mujor të dytë, me një 3-mujor të 2019 me ulje 10%. Vjen si rezultat i pamundësisë deri diku për t’i kthyer edhe pamundësisë buxhetore, se kanë dalë persona të papunë. Kanë qenë situata të ditura, që 40% e bizneseve kanë qenë të mbyllura. Por edhe ata që kanë dalë në punë kanë kursyer.
Mund të përkthehet se jemi më keq në njësi familjare mesatare se një vit më parë. Por ne do e shohim në raport me gjithë vitin. Treguesit e sotëm të INSTAT, që në krahasim me skenarët tanë negativë janë pak më mirë. Kur kemi parashikuar 3-mujorin e dytë, tkurrja do ishte mbi 10%, ne e parashikuam që do ishte 14-16%. Të dyja paketat janë vlerësuar dhe nga raporti i BB, që nëse nuk do ishin dhënë, niveli i mundshëm i rritjes së varfërisë për një shtresë mesatare do ishte mbi 40%. Janë adresuar me paketa të paktën 250 mijë shqiptarë, biznes i vogël dhe të papunët. Tkurrja vërtet ndodhi por nuk ishte në atë skenarin më negativ”-deklaroi Denaj.