Në prag të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 2 tetor, ku pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja, Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara tregtare.
Këto organizata kujtojnë se Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtarë për njëra-tjetrën. Për Kosovën, Shqipëria zë vendin e parë sa i përket eksporteve dhe vendin e pestë sa i përket importeve.
Në fillim të këtij viti, këto organizata kanë publikuar dy studime mbi marrëveshjet tregtare mes dy shteteve, një nga perspektiva e Kosovës me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” dhe tjetri nga perspektiva e Shqipërisë “Dy shtete një ekonomi”.
Rekomandimet e dala nga këto dy studime përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese.
“Rekomandimet e dala nga këto dy studimë përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese, si dhe ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqja e barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik; harmonizimin e legjislacionit për taksat dhe akcizat; heqjen e barrierave ekzistuese në kuadër të vendosjes dhe themelimit të biznesit në të dy vendet; krijimin e instrumenteve të përbashkëta (sikurse Fond i Përbashkët Investimi); si dhe plotësimin e vendimit për përdorimin e Portit të Durrësit nga Dogana e Kosovës për eksport dhe jo vetëm për import”.
Shqipëria është e rëndësishme për Kosovën edhe për arsye se më shumë se një e treta e produkteve të tregtuara në Kosovë kalojnë transit përmes saj. Nga ana tjetër, edhe Kosova është partner i rëndësishëm për Shqipërinë, duke qenë i vetmi vend me të cilin ka suficit tregtar.
Pavarësisht shkëmbimit tregtar në rritje dhe përpjekjeve për thellim të bashkëpunimit ekonomik me anë të marrëveshjeve të shumta, potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare për të dy vendet mbetet i pashfrytëzuar dhe barrierat tregtare janë ende duke penguar integrimin ekonomik midis tyre.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen nesër në Tiranë ku edhe është paraparë që të nënshkruhen 15 marrëveshje mes dy shteteve.
Pjesë e diskutimit pritet të jetë edhe projekti hekurudhor Prishtinë-Durrës.
Që nga viti 2014, kur kanë filluar të mbahen mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ndërmjet dy vendeve. Por, ka ngecje të theksuara në zbatimin e tyre.
Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.
Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor