Nga Rezarta Reso
Disa ditë të shkuara, e në vazhdim lajmi bombastik i zbulimit të spiunit të rrezikshëm, të fshehur në dekada në petkun e shkrimtarit, studiuesit e profesorit Nasho Jorgaqi, tundi Facebook-un që u shndërrua në një kope klithmash histerike kundër, le të lemë mënjanë çdo titull, 90-vjeçarit, Nasho Jorgaqi.
U trondita, u habita nga dokumentat e publikuara dhe iu ktheva lidhjes 50-vjeçare mes familjes sime dhe familjes Jorgaqi, kujtimeve te mia si studente e Nasho Jorgaqit dhe ditëve të sotme tek e shoh të plakur por gjithmonë duke hulumtuar apo shkruajtur dicka.
Të ketë qene vallë, spiuni i familjes sime? I prindërve te mij, sidomos i tim eti që nuk linte bisedë të ikte pa sharë sistemin e Hoxhës? Më kujtohet im gjysh Bexhet Reso, me fjalët dhe mendimet e tij plot sarkazëm të shprehura hapur me miqtë e ngushtë, ndaj Enverit, të cilin e kishte njohur që fëmijë dhe kishte besuar se ishte “komunist i vërtetë e shumë shpejt e kuptoi që ishte djall”. Për ata që nuk e dinë im atë, Bardhyl Reso ka qenë ndër 13 anëtarët e pare të Komitetit Drejtues të Partisë Demokratike dhe deputet i Kuvendit të parë Demokratik pluralist postkomunist që u largua nga Partia Demokratike pasi ajo u mbush më të shumtën me ish-komunistë ose pseudo të përndjekur. Me Nashon nuk e prishi asnjëherë miqësinë sepse ndonëse ky i fundit kishte bindje të majta, ishte i vërtetë, i hapur dhe nuk dridhej e përdridhej si pseudodemokratët ish-komunistë. Bisedonin, argumentonin, ngrinin zërin POR nuk spiunonin njeri-tjetrin. Mbronin atë që besonin nën mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit si dy njerëz miq të hershëm e të vërtetë.
Më kujtohet se si Ismail Kadareja, për vite të tëra, vinte çdo darkë tek shtëpia e Nashos, shpesh dhe im atë i pranishëm dhe mbyllej me të orë të tëra duke biseduar me të. Nasho ndërkohë për dekada të tëra “vëzhgonte” këta dy viktima të tij të cilët janë mbi të 80-tat. Si nuk pati rast t’i spiunojë ? Një fjalë e “Dragoit” dhe im atë e Ismaili do të ishin përcëlluar e pjekur nga flaka e tij!!!
Po sa libra të ndaluar kanë dalë nga biblioteka e Nashos, që e bija, Kristina, m’i jepte për të lexuar e unë ua jepja shoqeve të tjera?
Po sa miq e shokë të panumërt kanë hyrë e dalë në atë shtëpi, janë ulur e kanë ndarë pa fund biseda e kujtime me të? Drithmat më zunë!!
Pas kësaj frike papritur u kthjellova kur u kujtova që jemi në vitin 2020!!! D.m.th 30 vjet pas rënies së komunizmit/ diktaturës dhe hapjes së lirë të çdo mendimi, kujtimi apo tregimi.
Një deklaratë bashkëpunimi me Sigurimin e frikshëm, bërë në moshën 23 vjeçare, kujt i bëri dëm? Kë futi në burg, kujt i preu kokën, kujt i nxiu jetën? Në këto 30 vjet a ka dalë ndokush të thotë, “Përballu me mua Nasho Jorgaqi sepse ti ke qenë spiuni që më syrgjynose, apo më shkatërrove jetën”?
Mos vallë është e kundërta, mos duhet të dalë dikush që e di mirë të vërtetën e të ketë burrërinë të pranojë, që “Ti, Nasho Jorgaqi, më ke shpëtuar jetën se më paralajmërove, apo më dhe informacion që Sigurimi më ka vënë në shënjestër? Por burra të tillë si Ismail Kadareja me të shoqen, kushërirën e Nashos, nuk kanë mendere të pranojnë të vërteta të tilla sepse tani Nasho I plakur dhe pa përkrahje e pushtet nuk u duhet më. Jo, gabova, u duhet emri Nashos për t’u viktimizuar.
E na ngrihet një sharlatan, e gënjeshtar, pseudo i përndjekur, dhe që vidhte hapur leksionet dhe disertacionet e kolegëve, një i studiuar në Rusi si i përndjekur hajdut, që na iu dhimbs fati i njerëzimit dhe nxjerr një faturë 70 vjeçare, krejtësisht në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e dikurshëm, duke vjedhur dokumentat e duke i vërtitur sipas interesit dhe me një patetizëm histerik vihet në krye të Tufës së Baj Gano-ve që bëjnë gallatë me një plak 90-vjeçar, kur rrugët, kuvendet, ministritë, kryeministritë janë mbushur me spiunë me dosje që u kullojnë gjak e që kapërdisen xhepaplot e tërë qesëndi në sytë e viktimave.
Vërtet Agron Tufa? Nasho Jorgaqi ishte ai i tmerrshmi?!? Të mos ndalem tek “ish-studentat e traumatizuar” nga kujtimi i Lasgush Poradecit të përgojosur nga Nasho!!!! Ata studenta që dikur e ngrinin në qiell, për aftësitë e tij, për leksionet e tij interesante e plot detaje të këndshme për jetën e shkrimtarëve të ndryshëm. E adhuronin se ishte drejtë i hapur e i gatshëm të ndihmonte këdo. Sa studentave u ka hapur udhë të shkruajnë, të afirmohen, të bëhen kolegët e tij, pa asnjëlloj detyrimi, por vetëm sepse ishte i tillë.
Vërtet Blerina Idrizi doli nga salla në shenjë indinjate kur Nasho vuri në lojë Lasgushin?!?
Ju lutem, mos më bëni të gajasem sepse i bie që Blerina të ketë jetuar në rrugë tërën jetën e saj derisa erdhi në Amerike, nga indinjata që duhet të ketë pasur ndaj të jatit dhe së jëmës që shkruanin e korrigjonin tërë zell librat e Teuta Hoxhës.
Cili je ti Agron Tufa pedagog i dështuar, frikacak i maskuar nën maskën e një të përndjekuri të pamerituar, që tregohesh kaq trim? Pse nuk matesh me ata që janë në krye? Kujdes se një ditë Tufa e harbuar mund të kthehet kundra teje e të të çojë në gojën a Dragoit që nuk është 90 vjeç e nuk di të falë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e gazetës Dita