Shoqata KRIIK ka bërë thirrje nga Ministria e Brendshme që të bëjë transparencë të plotë, në mënyrë periodike, mbi tërë procesin e hartimit dhe saktësimit të listës së zgjedhësve, pas dyshimeve për ndryshimin e adresave të zgjedhësve.
Përmes një njoftimi për shtyp Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) bën thirrje që “Ministria e Brendshme të bëjë transparencë të plotë, në mënyrë periodike, mbi tërë procesin e hartimit dhe saktësimit të listës së zgjedhësve”.
Ky reagim vjen pas denoncimeve të qytetarëve të transmetuara nga Emisioni Investigativ “Boom” i Radiotelevizionit “Ora News” dhe denoncimeve në media të tjera që qytetarëve me bindje të djathta u ishin ndërruar adresat në gjendje civile.
“Nga ndjekja në tërësi e situatës dhe shqyrtimit të rrethanave, KRIIK vëren se, lidhur me këtë problematikë të konstatuar nga media, nga ana e Ministrisë së Brendshme ka një mungesë serioze transparence dhe njëkohësisht evidentohet një qendrim aspak i përshtatshëm dhe korrekt i të dy zyrtarëve të lartë të shtetit.
Për më tepër, aludimet se kjo është një çështje e stisur nga partitë opozitare dhe media jo profesionale, në rradhë të parë, përbëjnë deklarata të drejtëpërdrejta intimidimi ndaj medias duke cënuar lirinë e investigimit dhe të pasqyrimit të problematikave të qytetarëve në raport me institucionet shtetërore.” – reagon shoqata jo fitimprurëse.
Nga ana tjetër, shoqata vlerëson se sqarimet e dhëna dhe deklarimet e bëra nuk rezultojnë të përbëjnë një qëndrim institucional të plotë dhe korrekt mbi shkakun e ndodhjes së problematikës dhe rrugëzgjidhjen e duhur institucionale të çështjes.
“Në thelb, në një mungesë totale transparence, shpjegimet zyrtare të servirura ngrenë akoma edhe më shumë dyshime mbi atë se çfarë ka ndodhur realisht me ngatërresat e adresave të vendbanimit të shtetasve, mënyrën si ato janë mbledhur, si është bërë përcaktimi i adresës si vendbanim i qytetarëve dhe se si është bërë migrimi i të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Adresave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC).
KRIIK thekson se ndryshimi i vendbanimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është i lidhur drejtëpërdrejtë me numrin zgjedhor, pra me listën e zgjedhësve, ndaj i bën thirrje Ministrit të Brendshëm si autoriteti përgjegjës i ngarkuar nga ligji që të bëjë dhe sigurojë në vazhdimësi transparencë.
Kjo transparencë duhet të jetë tërësore, e detajuar në hapat e ndërmarrë dhe mekanizmat e përdorur, të shoqëruara këto me bazën ligjore të mbështetur.”– vijon më tej deklarata.
Madje, në gjykimin e KRIIK, është e domosdoshme që Ministri i Brendshëm së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse të bëjnë, gjithashtu, transparencën e plotë që refuzuan ta bëjnë përgjatë afro 7 muajve të kohëzgjatjes së procesit të hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet lokale 2019.
Saktësimi i adresës së këtyre zgjedhësve, sot ka peshë direkte së pari në caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, vendimmarrje e cila pritet të merret nga Komisioni Rregullator i KQZ-së së re.