Deputeti i opozitës Halit Valteri është përplasur në ambientet e jashtme të ndërtesës së Parlamentit.
me deputetin socialist Damian Gjiknurin.
Debati verbal mes tyre për pak desh u kthye në përplasje fizike. Të dy po flisnin me gjeste dhe deputeti Valteri dukej tejet i nervozuar.
Ai u largua për pak sekonda dhe u afrua përsëri ku nisi përplasja me Gjiknurin dhe u detyrua të ndërhynte Garda e Republikës, duke shmangur konfrontimin fizik.
Pas këtij episodi, Valteri akuzoi Gjiknurin se e ka telefonuar dhe i ka kërkuar të sqarohen jashtë ku më pas e ka kërcënuar. Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndërhyjë e të tërheqë deputetin e tij nga kërcënimet.
“Provokimet e Gjiknurit me çunat problematikë që është mësuar, as më hyjnë dhe as më vijnë fare ndërmend. Unë nuk jam idiot të dal nga seanca dhe t’i vihem pas një deputeti, më telefonoi duke më kërcënuar, duke më thënë nuk më njihni mua, mos u merrni me mua personalisht për fjalën time ku them që zoti Gjiknuri është në pazar të plotë me bandat, me krimin dhe opozitën jashtëparlamentare.
I bëj thirrje Ramës të tërheqë këtë qen bir qeni nga kërcënimet. Edhe në Hënë të shkojë Gjiknuri me një Valter nuk merret dot se i kemi dhënë provat si i trajtojmë mbeturinat. Vota ime është kundër dhe e Grupit Demokrat ka qenë kundër, por me paratë e Gjiknurit janë blerë deputetët.”- deklaroi Valteri.
Por Gjiknuri e mohoi ta kishte kërcënuar, duke thënë se Valteri shte fatkeqësi historike në politikë.
“Është fatkeqësi të bëjmë histori me gjëra krejt ordinere. Ju e njihni personin tim, i shpreh problematikat hapur, çdo gjë tjetër është insinuatë e njerëzve që janë aksidente historike në politikë. Deputetët edhe komunikojnë, le ta gjejë vetë Valteri, mua më vjen keq që një debat i rëndësishëm për ligjin të kalojë kështu.”– tha Gjiknuri.
Sa për akuzat që Valteri i drejtoi, deputeti socialist e ftoi atë që të denonconte rastet në opozitën parlamentare që ai besonte se ishin blerë nga Gjiknuri për të votuar Kodin Zgjedhor. / Hashtag.al