Vendosni fjalën kyçe....

Katër personave në Berat u shkon formulari i pasurisë


Policia u ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të burimit të pasurive katër personave në qarkun e Beratit.

Ata janë dënuar më herët për trafik e shitje lëndësh narkotike si dhe tentativë vjedhjeje me dhunë. Bëhet fjalë për Elion Fizin (Mati), banues në Kuçovë si dhe Fatbardh Dullën, Ritvan Cakën e Mariglen Markon, të tre banues në Berat.

Sipas policisë ka dyshime se personat e lartpërmendur e kanë vënë pasurinë nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme

Njoftimi

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

E.F. (M.), banues në Kuçovë, i dënuar në Zvicër, për veprën penale “Shitja e lëndëve narkotike”;

F.D., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

R.C., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë;

M.M., banues në Berat, i dënuar në Greqi, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e mbetur në tentativë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *