Ditën e sotme mazhoranca votoi pa kompromisin e opozitës së bashkuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor që vinin si pasojë e ndryshimit të kushtetutës më 30 korrik.
Me votimin e sotëm mazhoranca nuk lejoi hapjen e listave 100% si edhe ndaloi koalicionet partiake.
Pas miratimit në Kuvend kanë ardhur edhe reagimet nga partitë politike opozitare të cilët janë shprehur kundër votimit pa kompromis.
Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Nëpërmjet një postimi në Tëitter, Basha, thekson se votimi i sotëm është antikushtetues dhe shkatërron konsensusin e 5 qershorit si dhe godet integrimin e vendit.
Kryedemokrati thotë gjithashtu se sot Rama ka hedhur hapin e fundit drejt greminës dhe se asgjë nuk do e shpëtojë nga humbja që e pret.
“Akti i sotëm antikushtetues shkatërron konsensusin e 5 qershorit dhe godet rëndë integrimin europian të vendit. Rama e hodhi hapin e fundit drejt greminës. Por ai nuk do ti marrë dot me vete Shqipërinë dhe shqiptarët. Asgjë nuk e shpëton dot atë nga humbja dhe ndëshkimi që e pret!” – shkruan Basha
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga ana tjetër deklaroi sot se me votimin e njëanshëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kryeministri Rama tregoi se ka frikë nga populli, nga vota e popullit dhe nga partia e tij dhe vota e lirë e shqiptarëve.
Ajo theksoi se me Rama nuk i hapi listat por i bunkerizoi ato për të larguar vendin nga integrimi europian.
“Frikacaku Edi Rama tregoi sot se ka frikë nga populli i tij, nga verdikti i popullit të tij, nga partia e tij por mbi të gjitha nga vota e lirë e shqiptarëve. Ai jo vetëm që sot nuk hapi listat për qytetarët shqiptarë, por përkundrazi i bunkerizoi ato për të larguar njëherë e përgjithmonë vendin nga integrimi europian. Ai ka frikë nga partnerët ndërkombëtarë ku pak ditë më parë u dekonspirua drejtori i tij i OFL-së” – tha Kryemadhi.
Ndërsa Nisma Thurje në anën tjetër deklaroi se votimi i sotëm konfirmoi se hapja e listave është rruga e duhur dhe kjo nuk u reflektua sipas tyre nga parlamenti.
“Votimi i sotëm betonoi në mendjen e çdo shqiptari, të madh e të vogël, në Shqipëri apo jashtë saj, idenë që hapja e listave është tamam rruga e duhur për të shpërbërë gjithë këtë ngrehinë shfrytëzuesish e mashtruesish, hajdutësh e të paaftësh që sot kanë kapur për fyti këtë vend.
Sot, falë votave të Edi Ramës dhe skllevërve të tij aty në parlament, nuk ka shqiptar që nuk është i bindur për këtë!”-thuhet ndër të tjera në reagimin e Nismës Thurje./Hashtag.al