Me fjalën e kryeministrit Rama është çelur Asambleja e Partisë Socialiste.
Kreu i qeverisë renditi të gjitha ato që i quan arsye pse PS-ja duhet të marrë mandatin e tretë.
Ai përmendi investimet në sistemin energjitik, uljen e taksave dhe rritjen e pagave për mjekët e mësuesit.
Kryeministri shprehu bindjen se shqiptarët do e votojnë masivisht PS-në në zgjedhjet e 25 prillit.
“S’ka më fatura aforfe, arbitraritet a gabim në faturë që nuk korrigjohet. Pa llogaritur transformimin në sektorin në fjalë ku nuk ishte ndërhyrë që nga koha e elektrifikimit. Na duhet mandati tretë pasi nuk kemi mbaruar punë në këtë sektor dhe as në sektorët e tjerë.
Në mandatin e dytë vumë nën kontroll financat. Kemi forcuar një trup që lëngonte, na është dashur të përballemi edhe me probleme që u ranë në kokë njerëzve qoftë tërmeti, qoftë virusi.
Mandati i tyre është i forcimit të trupit dhe ecjes pas një paralize nga ku e nisëm këtë përpjekje. Tani arrijmë që të rrisim pagat dhe nuk rezulton që ndonjë rreth nesh ta ketë bërë këtë. Rrisim pagat për bluzat e bardha sepse e meritojnë. Por edhe sepse e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi ta vëmë në dispozicion të mjekëve dhe arsimtarëve që janë në dy fronte të vështira për shkak të përballjes me situatën ku ndodhet vendi dhe gjithë bota.
Kaluam nga një sistem i padrejtë taksimi në një sistem të drejtë ku i ulëm taksat për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Këto janë arsye e të tjera që mund t’i rendisim sot për mandatin e tretë.
Na duhet një mandat i tretë jo për vete po për Shqipërinë në mënyrë që Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim. Mund ta shpjegojmë si dhe pse Shqipëria mund të kalojë në një nivel të ri shpejtësie de askush përveç PS-së nuk e bën dot këtë gjë. Ne nuk jemi e keqja më e vogël por jemi e vetmja e mirë që ka politika shqiptare.” – tha Rama.