Vendosni fjalën kyçe....

Kisha e Anglisë i fali masivisht pedofilët, i lejoi të vazhdonin punën me fëmijët – Hetimi


Një hetim i ri tronditës ka zbuluar se, jo vetëm që Kisha e Anglisë fali rreth 400 pedofilë, por u lejoi atyre të vazhdonin punën me fëmijë.

Hetimi i Pavarur për Abuzimin Seksual të Fëmijëve (IICSA) zbuloi se midis vitit 1940 dhe 2018, rreth 390 njerëz të punësuar nga kisha, si klerikë ose në pozita të tjera, ishin dënuar për abuzim seksual të fëmijëve.

Ata u ‘falën’ për krimet e tyre nga kisha dhe u lejuan të vazhdojnë detyrat e tyre, shpesh në afërsi të fëmijëve, gjeti IICSA.

“Kisha e Anglisë i fali personat në fjalë duke u bërë një vend ku abuzuesit mund të fshiheshin,” shkruan raporti.

Hetimi zbuloi se kisha dështoi në mënyrë të përsëritur për t’iu përgjigjur në mënyrë të qëndrueshme viktimave dhe të mbijetuarve të abuzimit, duke shtuar traumën e tyre për një periudhë dekadash.

Vetëm në vitin 2018, ishin ngritur rreth 2,504 shqetësime në lidhje me abuzimin e mundshëm të fëmijëve ose të rriturve, duke përfshirë 449 pretendime të abuzimit seksual të kohëve të fundit.

“Për shumë dekada, Kisha e Anglisë nuk arriti të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga abuzuesit seksualë, në vend të kësaj lehtësoi një kulturë ku autorët mund të fshiheshin dhe viktimat përballeshin me pengesa për të denoncuar abuzimin.” – tha kryetari i hetimit, profesori Alexis Jay .

IICSA e kritikoi kishën për vlerësimin e faljes ‘si përgjigjen e duhur ndaj çdo pranimi të keqbërjes’.

Një rast i tillë i theksuar është ai i Timothy Storey, një burrë që u lejua të vazhdonte të punonte me fëmijë pasi kërkoi falje ‘për gjithçka që kishte bërë gabim’.

Storey aktualisht po vuan një dënim me 15 vjet burg për shumë vepra kundër vajzave të reja, përfshirë përdhunimin.

Si pjesë e gjetjeve të njoftuara të martën në raport, paneli zbuloi se mbajtja e regjistrave të pretendimeve të abuzimit ishte ‘pothuajse inekzistente’.

Kisha u kritikua ashpër gjithashtu për trajtimin e saj të skandalit të Ian hughes, në të cilin ai u dënua në 2014 për shkarkimin e 8,000 imazheve pornografike të fëmijëve.

Në atë kohë, Peshkopi Peter Forster pretendoi se Hughes ishte ‘mashtruar për të parë pornografinë e fëmijëve’.

Raporti më tej dënoi atë që ai e quajti si ‘rregull fisnor’ brenda kishës, që vendos besnikërinë ndaj vetes përkundrejt sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve. Ai citoi një ‘kulturë frike dhe fshehtësie brenda Kishës për seksualitetin’, që më pas lehtësoi një klimë abuzimi seksual.

Kisha kërkoi ndjesë dhe shprehu turp pas publikimit të raportit.

“Raporti shpalos ngjarje tronditëse dhe ndërsa kërkimi i ndjesës kurrë nuk do të heqë pasojat e abuzimit mbi viktimat dhe të mbijetuarit, ne sot duam të shprehim turpin tonë për ngjarjet që kanë ndodhur.” – tha Peshkopi i Huddersfield, Jonathan Gibbs.

“E gjithë Kisha duhet të marrë mësime nga ky hetim. Fokusi ynë kryesor në përgjigje duhet të jetë njohja e shqetësimit të shkaktuar viktimave dhe të mbijetuarve nga dështimet e Kishës.” – shtoi Gibbs.

Hetimi mbajti dëgjime publike në korrik 2019, të cilat pjesërisht çuan në gjetjet e raportit.

Paneli bëri tetë rekomandime, duke përfshirë një proces të përmirësuar të ankesave për viktimat e abuzimit, rivendosjen e dëbimit të menjëhershëm nga kisha për këdo të dënuar për vepra seksuale të fëmijëve dhe përmirësimin e fondeve dhe mbështetjes për viktimat dhe të mbijetuarit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *