Bashkimi i kompanive Fusha & Edil-al janë shpallur fituesit e tenderit për rikonstruksionin e Piramidës.
Vlera e kësaj ndërhyrjeje pritet të jetë rreth 10 milionë euro, që u ofruan nga dyshja e lartpërmendur, ndërsa fillimisht tenderi parashikonte që ndërhyrja të ishte deri në 14 milionë euro.
Financimi sipas dokumentit të tenderit do jetë nga tre burime: nga të ardhurat e bashkisë, nga Ministria e Kulturës e Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Fituesi u shpall sot nga bashkia e Tiranës ndërsa duhet thënë se me ardhjen e Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës, tenderat e fituar nga kompania Fusha në kryeqytet e jo vetëm janë rritur ndjeshëm.
Mes tenderave të fituar nga kompania në fjalë është edhe rikonstruksioni i sheshit Skënderbej në Tiranë dhe Bulevardit Zog I.
Kjo e fundit ishte kompania që u ofrua për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, duke marrë në këmbim mijëra metra tokë publike ku ishte parashikuar të ndërtoheshin disa godina.
Ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar u miratua 2 herë në Kuvend nga qeveria e Ramës dhe mazhoranca socialiste pavarësisht kundërshtive të presidentit Meta, i cili e ktheu atë duke renditur një numër të madh shkeljesh.