Policia në Milano thotë se ka arrestuar një grua italiane të moshës 39-vjeçare, e cila ka punuar për Kardinalin Angelo Becciu, një zyrtar i lartë i Vatikanit i cili u ul në detyrë muajin e kaluar për shkak të akuzave se kishte përdorur paratë e kishës për familjarët e tij.
BBC shkruan se Cecilia Marogna u arrestua pasi ishte lëshuar një urdhër i Interpolit me kërkesë të Selisë së Shenjtë.
Si zonja Marogna ashtu edhe Kardinali Becciu kanë mohuar çdo shkelje ligjore.
Në intervistat me mediat italiane ditët e fundit, zonja Marogna konfirmoi se ajo ishte paguar 500,000 euro nga Kardinali Becciu përmes një kompanie që ajo operonte në Slloveni. Marogna tha se i mori paratë për të siguruar “diplomaci paralele” për të ndihmuar misionarët në zonat e konfliktit.
Por Marogna akuzohet për “përvetësim të parave”.
Kardinali pretendohet se i autorizoi pagesat për zonjën Marogna ndërsa shërbente si numri dy në Sekretariatin e Shtetit të Vatikanit, i cili administron donacionet e Kishës.
“Unë nuk vodha një euro të vetme”– i tha zonja Marogna gazetës Domani.
Ajo gjithashtu ka mohuar akuzat se ajo është “zonja e kardinalit”, duke i thënë gazetës Corriere della Sera se ajo është një “analiste politike dhe eksperte e inteligjencës” me “një rrjet marrëdhëniesh në Afrikë dhe Lindjen e Mesme” për të mbrojtur përfaqësuesit e Vatikanit jashtë vendit.
Kardinali 72-vjeçar dha dorëheqjen papritur muajin e kaluar, duke zbuluar se ia kishte kërkuar këtë Papa Françesku. Ai pranoi se ishte i dyshuar se u kishte dhënë para të kishës vëllezërve të tij. Dorëheqjet në këtë nivel të Vatikanit janë jashtëzakonisht të rralla.