Vendosni fjalën kyçe....

TAP gati për nisjen e operacioneve tregtare, duke filluar nga nëntori


Konsorciumi i TAP (Trans Adriatik Pipeline) po përfundon përgatitjet për të filluar operacionet tregtare në nëntor, katër vjet e gjysmë pasi filloi ndërtimin e tubacionit të gazit.

Gazsjellësi Trans Adriatik është pothuajse i përfunduar dhe është mbushur me gaz natyror nga kufiri Greko-Turk deri në terminalin pritës në Italinë e Jugut, tha TAP në një deklaratë.

Pika ndërlidhëse midis tubacionit të TAP-it dhe rrjetit italian të gazit natyror të Snam Rete Gas në Puglia pritet të përfundojë dhe të jetë gati për të transportuar gaz në mesin e nëntorit 2020, shtoi TAP.

Duke u lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin e Greqisë me Turqinë, TAP shtrihet në të gjithë Greqinë e Veriut, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë.

TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili gjithashtu përfshin Gazsjellësin e Kaukazit Jugor (SCP) që prek Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, dhe TANAP.

Aksionarët e TAP janë BP, kompania shtetërore e Azerbajxhanit Socar dhe italianja Snam me nga 20 për qind secili, kompania belge Fluxys me 19%, Enagas e Spanjës me 16% dhe ajo zvicerane Axpo me 5%.

TAP ishte investimi më i madh që ka pasur ndonjëherë vendi, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh. Punimet për ndërtimin e tij i dhanë një hov Investimeve të Huaja Direkte gjatë viteve të fundit.

Por, pas përfundimit të projektit, efekti i këtij investimi në ekonominë e vendit pritet të jetë minimal, pasi vendi nuk ka një infrastrukturë për shfrytëzimin e gazit.

Projekti parashikon dy dalje në Shqipëri, ndërsa ka dhe plane afatgjata për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit në zonën qendrore të vendit dhe lidhjet me rajonin, që janë ende në fazën e studimeve të fisibilitetit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *