Konfirmohet në detyrë gjyqtarja Flora Hajredinaj e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në seancën e zhvilluar sot, Hajredinaj kaloi me sukses procesin e Vettingut, duke dalë e pastër në tre shtyllat e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional.
Procesi i Vettingut u krye nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Firdes Shuli anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Spregner.
Kujtojmë se gjyqtarja Hajredinaj ka qenë anëtare trupës gjykuese për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që vendosën për dënimin e tij me shërbim prove për tri vjet për akuzën për “shpërdorim detyre”. Ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal.