Pezullohet nga detyra gazetari Steve Scully i C-SPAN, pasi pranoi publikisht se kishte gënjyer që i kishin hakuar llogarinë e tij në Twitter.
Steve Scully, ishte caktuar për të moderuar debatin presidencial të kësaj jave para se të anulohej.
Ai u përfshi në një shkëmbim komentesh në Twitter me Anthony Scaramuccin, ish-ndihmës i presidentit Donald Trumpi, tani kritik i tij. Në këto komente Scully dukej sikur po kërkonte këshilla nga kritiku i presidentit.
Kur nisën polemikat për shkak të këtij shkëmbimi komentesh, gazetari tha se i kishin hakuar llogarinë në “Twitter”. Por kjo rezultoi të ishte e pavërtetë.
Scully pasi pranoi se kishte gënjyer, tha se i vinte keq që kishte zhgënjyer kolegët e tij. “U kërkoj falje atyre”, tha ai, citon BBC.
Ndërsa kanali C-SPAN than ë një deklaratë: “Ne u dëshpëruam shumë nga ky lajm dhe nuk i falim veprimet e tij”.
Scully ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar.
Është e paqartë se kur ai do të kthehet përsëri në detyrë. Megjithatë për shkak të pezullimit ai do të qëndrojë jashtë programit të natës zgjedhore të rrjetit në 3 nëntor.