Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja/ Gazetari akuzon Metën se shkeli Kushtetutën në dhënien e shtetësisë, Blushi kërcënon e lajmëron konferencë shtypi


Ditën e djeshme dhe të sotme, përafërsisht në të njëjtin orar, media në pronësi të Karlo Bolinos, Shqiptarja.com ka bërë dy shkrime ku akuzon presidetin Meta se ka shkelur ligjin në dhënien e shtetësisë shqiptare për dhjetëra persona.

Sipas gazetarit Adriatik Doçi, kreu i shtetit ka abuzuar me pikën 6 të nenit 9 për shtetësinë, që e lejon atë të japë shtetësinë për persona të ndryshëm që kanë merita të veçanta në fusha të ndryshme dhe mund t’i shërbejnë interesit kombëtar. Kjo pikë e nenit lejon që aplikantët për shtetësinë shqiptare ta përfitojnë atë brenda pak ditësh, duke shmangur procedurat normale.

Gazetari shkruan se pjesë e kësaj liste janë 382 persona të ndryshëm nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Diaspora dhe zyrtarë e biznesmenë nga Kosova që janë dënuar e akuzuar për vrasje, mashtrime, vjedhje e falsifikime.

Në reagimin e presidencës, sipas gazetarit Doçi shkruhet se përfituesit e shtetësisë janë ‘familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së dhe artistët e intelektualët e spikatur shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Diasporë’, ndërkohë që ai shkruan se përfituesit janë zyrtarë të dënuar në Kosovë duke i përmendur me emra mes të cilëve ish-zyrtarë të rëndësishëm, ish-ministra, biznesmenë, ish-sportistë, ish-deputetë, këngëtarë, sportistë, etj.

Në shkrimin e ditës së sotme të Shqiptares, gazetari sjell të tjerë emra që sipas tij nuk kanë asnjë meritë të veçantë për të përfituar shtetësinë shqiptare në shkelje të procedurave. Ndër to ka futbollistë, këngëtarë e persona publikë apo individë privatë nga travat shqipfolëse apo nga Italia, Greqia etj.

Para pak çastesh, presidenti Meta ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook nga zëdhënësi i tij, Blushi. Ai ka publikuar copëza nga një e-mail, duke pretenduar se gazetari Doçi i ka çuar një deputeti të PS-së në Kamëz, duke e kërcënuar lidhur me punësimin e bashkëshortes së tij.

Sipas zëdhënësit të presidentit, që e kërcënon gazetarin Doçi me burg, lajmet e shkruara prej tij janë të rreme. Ndërkohë që në reagimin e Blushit, që paralajmëron konferencë shtypi të hënën, nuk ka asnjë sqarim ligjor lidhur me akuzat e gazetarit se Meta ka shkelur ligjin në dhëniet e shtetësisë.

Aty nuk ofrohet asnjë kundërarsyetim të ftohtë, shpjegues mbi procedurat e dhënies së shtetësisë në rastet konkrete duke shmangur sqarimin institucional dhe duke kaluar në retorikë sulmi personal.

Shkrimit të Blushit i është përgjigjur gazetari i Shqiptares, i cili shkruan në Facebook se Meta duhet të lërë këcënimet e shantazhet e të përgjigjet për shkeljen e Kushtetutës lidhur me dhënien e shtetësisë shqiptare.

Shkrime të ngjashme lidhur me dhënien e shtetësisë në shkelje të procedurave, publikoi pak kohë më parë edhe gazeta Tema e Mero Bazes. Në rastin në fjalë bëhej fjalë për dhënien e shtetësisë shqiptare të një futbollisti afrikan të Tiranës. Reagimet e Bazes çuan në një përplasje të ashpër mes tij dhe presidentit Meta.

Edhe në rastin e përplasjes Baze-Meta, në reagimet e zëdhënësit të kreut të shtetit, nuk pati asnjë sqarim ligjor për akuzat ndaj presidentit, asnjë kundërarsyetim të ftohtë, shpjegues mbi procedurat e dhënies së shtetësisë shqiptare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *