I arrestuari për atentatin që tronditi këtë mëngjes Himarën është 53-vjeçari Kliti Leka.
Biznesmeni i ndjerë Niko Goro së fundmi ishte duke ndërtuar një pallat në Himarë, por ka pasur konflikte për tokën. Dyshohet se ky ka qenë dhe motivi për ngjarjen e rëndë dhe policia momentalisht po ndjek këtë pistë.
I dyshuari Kliti Leka për më tepër është nip i personave me të cilët kishte konflikt për tokën Goro.
Sipas Abcnews.al, Leka deklaroi në momentin e parë të arrestimit nga policia se i kishte shitur tokën biznesmenit Goro, por sipas tij, ai nuk i kishte dhënë paratë.
Pista e dytë që policia po ndjek është për një borxhi prej rreth 70 mijë euro që përflitet se biznesmeni i ka pasur të dyshuarit, pasi ky i fundit siç shkruan BalkanWeb, i kishte mbuluar instalimet elektrike në një prej pallateve të tij. Por biznesmeni refuzonte t’ia jepte.
Biznesmeni Niko Goro, i cili është djali i xhaxhait të kryebashkiakut, Jorgo Goro, është ekzekutuar me armë zjarri këtë mëngjes në shëtitoren e qytetit.
Goro u ekzekutua sapo doli nga supermarketi në pronësi të motrës së tij, e cila gjithashtu ka mbetur e plagosur në këmbë. Por fatmirësisht kjo e fundit ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 08:55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë.
Paraprakisht dyshohet të kenë qenë 4 persona, të cilët ishin duke lëvizur me një furgon, kur njëri prej tyre ka zbritur dhe ka qëlluar në drejtim të Goros me breshëri kallashnikovi.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, disa kilometra më larg, policia arrestoi të dyshuarin Kliti Leka, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë./Hashtag.al